Humbjet ne rrjet i kushtojne OST miliona euro, parashikimi per 2022-2024
Mbulimi i humbjeve të energjisë në rrjet i kushton miliona euro Operatorit të Sistemit të Transmetimit.
Sipas përllogaritjeve të kësaj kompanie parashikohet që humbjet e energjisë për 2022 të arrijnë në 205 GwH, ndërkohë që për të prokuruar këtë energjia parashikohet të shpenzohen 11 milion euro.
Ndërkaq, për 2023 kompania vlerëson se humbja në rrjet do të jetë 210 GwH, ndërsa kosto për mbulimin e saj rreth 12 mln euro. Edhe më të larta parashikohen shpenzimet për vitin 2024, ku sipas OST do të arrijnë në 13 mln euro.
Praktikisht, për periudhën 3-vjeçare OST parashikon të shpenzojë 36 mln euro për prokurimin e humbjeve në sistemin e transmetimit. Shpenzimet për blerjen e energjisë për mbulimin e humbjeve në rrjet janë një nga komponentët, që ndikojnë në tarifën e transmetimit të energjisë elektrike.
Ndërkohë që, bazuar edhe në këtë tregues Operatori i Sistemit të Transmetimit ka kërkuar që kjo tarifë për 3 vitet e ardhshëm të shkojë në 1.47 lekë/kwh apo 96% më tepër nga sa është aktualisht.
Aplikimi është depozituar pranë ERE, që pak ditë më parë vendosi nisjen e procedurës për shqyrtimin e këtij aplikimi. Ndërkohë që, në do të jetë ky dikaster që do të duhet të vendosë nivelin e tarifës që do të aplikohet për periudhën 3-vjeçare.
Rritja e tarifës së transmetimit të energjisë prek drejtpërdrejt bizneset që kanë dalë apo do të dalin në treg të lirë energjie prej janarit të vitit që vjen, duke qenë se ajo është pjesë përbërëse e formulës për llogaritjen e çmimit të energjisë./Burimi: SCAN