Teksti i abetares do jete i njejte per te gjitha shkollat nga 2022
Në vitin shkollor 2022-2023, nxënësit e klasave të para në të gjitha shkollat në vend do të mësojnë nga i njëjti libër abetareje.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi bëri me dije se në mbledhjen e sotme të qeverisë është vendosur unifikimi abetares për të gjitha shkollat, kjo në kuadër të nismës një gjuhë një abetare. Kushi sqaroi se do të hapet një garë për tekstin e unifikuar dhe se po punohet që ky projekt të konkretizohet me nisjen e vitit tjetër shkollor.
"Morëm një vendim të rëndësishëm që lidhet me përjashtimin nga procedura e përzgjedhjes së mësuesve në bazë shkolle të tekstit të abetares. Në arsimin parauniversitar, për çdo lëndë kemi tekste alternative dhe mësuesit në çdo shkollë mblidhen dhe zgjedhin një nga tekstet e miratuara.
Kemi vendos të përjashtohet kjo procedurë teksti i abetares. Kjo na ndihmon të kemi një qasje dhe metodologji të njëjtë kudo. Ne do punojmë për këtë projekt, një gjuhë një abetare dhe në fillim të vitit shkollor 2022-2023, të gjithë vogëlushët të kenë të njëjtën abetare", tha ajo./Burimi: Shqiptarja.com