Secondary Adv

Shqiperia rriti eksportin e energjise edhe pse kriza po jepte shenja

Kriza e energjisë që kulmoi në muajin tetor shenjat e saj kishte disa muaj rresht që po i jepte në tregje.

 

Kjo gjithsesi nuk ka penguar vende si i yni që të vijojnë eksportet të cilat në tremujorin e tretë të vitit u rritën me 2.3 herë në raport me 2020. Bilanci i energjisë i publikuar nga INSTAT tregon se prodhimi në tërësi në 3-mujorin e tretë pësoi rritje gjithashtu.

 

“Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë u rrit me 7,2% duke arritur vlerën 1.371 GWh nga 1.280 GWh energji të prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2020.

 

Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 76,3%, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 22,7% dhe nga të tjerë prodhues (energji e rinovueshme) në masën 1,0% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.

 

Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje), në tremujorin e tretë të vitit 2021, arriti vlerën 975 GWh nga 666 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar kështu një rritje me 46,5%.

 

Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti vlerën 323 GWh nga 139 GWh duke shënuar një rritje me 2,3 herë”, thuhet në publikimin e INSTAT. Gjatë tremujorit të tretë të 2021, energjia elektrike në dispozicion u rrit me 12,0%.

 

Sa i takon prodhimit hidrocentralet publike, në tremujorin e tretë të vitit 2021, prodhuan 1.047 GWh nga 978 GWh të prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2020, duke shënuar kështu një rritje të prodhimit me 7,1%.

 

Hidrocentralet private dhe koncensionare nga ana tjetër, prodhuan 311 GWh nga 292 GWh të prodhuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rritje të prodhimit të energjisë elektrike me 6,7%.

 

Sipas INSTAT shkëmbimi i energjisë elektrike (diferenca mes eksportit dhe importit bruto të energjisë), në tremujorin e tretë të 2021, ka pësuar një ndryshim me 23,7% duke arritur vlerën negative prej 651 GWh, krahasuar me tremujorin e tretë të 2020 ku kishte nje vlerë negative prej 527 GWh.

 

INSTAT vlerëson se humbjet në rrjet arritën vlerën 343 GWh nga 325 GWh duke shënuar kështu një rritje me 5,7%. Humbjet në transmetim janë rritur me 16,7% ndërsa humbjet në shpërndarje janë rritur me 4,3%.

 

Humbjet teknike në shpërndarje kanë shënuar një rritje me 7,8%, ndërsa humbjet jo teknike në shpërndarje kanë shënuar një rënie me 2,2%, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020.

 

Ajo që bie në sy është edhe rritja e konsumit në vend në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe pjesën më të madhe të kësaj rritjeje e kanë bizneset dhe më pak familjarët.

 

“Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në tremujorin e tretë të vitit 2021, u rrit me 13,4% duke arritur vlerën 1.679 GWh nga 1.481 GWh që ishte në tremujorin e tretë të vitit 2020.

 

Ndikimin më të madh në rritjen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët e kanë dhënë konsumatorët jo familjarë, ku kemi një rritje të konsumit të energjisë elektrike me 17,8%, përkundrejt rritjes me 7,6% të energjisë së konsumuar nga konsumatorët familjarë”, thuhet në publikim.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/bilanci-i-energjise-korrik-shtator-eksporti-u-rrit-me-2-3-here-teksa-kriza-ishte-ne-horizont/


Më të lexuarat