Aktivistet kunder Aeroportit te Vlores, do ndertohet ne zone te mbrojtur
Aeroporti i Vlorës i cili do të ndërtohet në zonën e Vjosë-Nartës, shkatërron peizazhin e mbrojtur dhe shkel konventat ndërkombëtare të mbrojtjes së tyre.
Alarmi vjen nga aktivistë të mbrojtjes së mjedisit, të cilët kërkojnë që projekti në atë zonë të anulohet e të ndërtohet aty ku nuk shkatërrohen vlerat mjedisore. Aeroporti i Vlorës do ndërtohet në një zonë të mbrojtur të kategorisë së 5, që mbrohet nga legjislacioni shqiptar për ruajtjen e natyrës.
Në këtë përfundim dolën përfaqësues të shoqërisë civile dhe mjedisore, të cilët kërkojnë pak ditë përparja nisjes së punimeve, që ky projekt të anulohet.
"Ky vlerësim është kthyer në mungesë të thelluar profesionalizmi dhe në mënyrë të anshme në favor të ndërtimit të Aeroportit të Vlorës ë zonën e Akërnisë që është pjesë e rrjetit kombëtar të zonave të mbrojtura."
Sipas tyre, raporti i vlerësimit të ndikimit të mjedisit për këtë projekt është një analizë jo profesionale dhe abuzive. "Ne i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare dhe ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit që të mos miratojë këtë raport thellësisht të pasaktë dhe klientelist."
Vjosë-Narta mbrohet nga pothuajse të gjitha rrjetet ekologjike ndërkombëtare, disa prej të cilave kanë shprehur kundërshtinë e tyre për aeroportin në këtë zonë.
"Vlen të përmendet këtu qëndrimi i KE mbi këtë çështje që në raportin e fundit mbi Shqipërinë e cilëson këtë investim në kundërshtim me ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e larmisë biologjike."
Hapat ligjorë dhe angazhimi i komunitetit të zonës janë veprimet e radhës që do të ndërmarrë shoqëria civile dhe ajo mjedisore."Çështja është duke i trajtuar në rrugë ligjore, ne po përgatitemi për këtë dhe padyshim në qoftë se është nevoja ne do t'i drejtohemi drejtësisë ndërkombëtare për këtë çështje.
Aktivistët për mbrojtjen e natyrës janë shpresëplotë se do e ndalojnë ndërtimin e aeroportit aty ku është parashikuar, ndërsa shtojnë se nuk janë kundër zhvillimit, por kundërshtojnë ngritjen e tij në zonën e mbrojtur./Burimi: Oranews.tv