Permiresohet situata hidrike, dyfishohet prodhimi i energjise
Reshjet e shiut kanë përmirësuar gjendjen energjitike në vend.
Sipas Korporatës Elektronergjitike Shqiptare prurjet në kaskadën e Drinit kanë arritur në 1220 m3/s. nga 85 m3 në sekondë që kanë qenë para një jave. Po ashtu edhe niveli i ujit në liqenin e Fierzës ka arritur të kaloj pikën kritike ndërsa niveli i regjistruar është 267.5 m dhe prurjet 600 m3 në sekondë.
Edhe në HEC-e të tjera gjendja ka njohur përmirësim, në Koman niveli ka arritur 169.6 m ndërsa prurjet 300m3/s. Ndërsa në Vaun e Dejës niveli rezulton 74.3 m3/s dhe prurjet 320m3/s.
KESH bën të ditur se në Fierzë aktualisht nuk po prodhohet energji elektrike me qellim rritjen e rezervës e cila për momentin është 438 GWh ndërsa në dy hecet e tjera po prodhohet me kapacitet të plotë.
KESH bën me dije se nëse vijojnë reshjet atëherë do të stabilizohet situata e furnizimit me energji elektrike. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike bën me dije se aktualisht vijon importi pasi sasia e energjisë është parablerë.
Po nëse prodhimi i energjisë do të ketë këto ritme atëherë vendi do të ulë importin e energjisë në bursë e cila ka njohur një rritje të konsiderueshme të çmimit gjatë kësaj periudhe për shkak të krizës energjitike. Pak muaj më parë qeveria ka shpallur emergjencë energjitike në vend.