Secondary Adv

Miratohet ligji, nese nuk merr kupon, mos paguaj per mallin

Ligji “Për procedurat tatimore” u miratua mbrëmjen e djeshme në Kuvend me 75 vota pro e 19 kundër. Qeveria kërkoi që në rast se blerësi nuk pajisjet me kuponin tatimor, të largohet pa e paguar mallin.  Në ligj thuhet se, nëse një biznes ndryshon adresën dhe nuk e raporton në QKR-ë apo në Tatime, do të ndëshkohet njëlloj si një biznes i paregjistruar.


Kuvendi miratoi me 75 vota “pro” dhe asnjë kundër amendamentin e deputetëve Erjon Braçe, Ervin Koçi dhe Anastas Angjeli që të riformulohej neni në fjalë.
Sipas amendamentit të anëtarëve të komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, zëvendësohet togfjalëshi “blerësi të largohet pa e paguar mallin” me “blerësi të mos kryejë transaksionin për mallin apo shërbimin e ofruar”. Pas debateve në komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, ishte radha e Kuvendit dje që të shprehej për propozimin e qeverisë, apo atë të komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, që synonte rrëzimin e të parit. Por në kushtet e paqartësisë nëse ligji mund të miratohej, aq më tepër kur deputetët e mazhorancës te Ekonomia dhe Financa ishin shprehur kundër nenit 6, Kuvendi zgjodhi “rrugën e mesme”, duke votuar “pro” riformulimit të propozimit të qeverisë.  


Amendamenti
Pas qëndrimeve të ndara brenda mazhorancës për nenin 6 të shumëdiskutuar, i cili në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave u rrëzua, për t’i dhënë zgjidhje ngërçit, Kuvendi miratoi propozimin e deputetëve Angjeli, Braçe dhe Koçi. Tre anëtarët e komisionit të Ekonomisë dhe Financave, propozuan që neni 6 të qëndrojë i ndryshuar që “blerësi të mos kryejë transaksionin e mallit”.


“Togfjalëshi në nenin 6 të ligjit, i lind e drejta të paguajë për vlerën e mallit apo të shërbimit të marrë, zëvendësohet me togfjalëshin “i lind e drejta të mos kryejë transaksionin për vlerën e mallit apo shërbimit të ofruar”, u shpreh gjatë votimit nen për nen të projektligjit, deputeti socialist, Anastas Angjeli. Në fund, Kuvendi votoi “pro” amendamentit që parashikon riformulimin e nenit 6 në ligjin për “Procedurat Tatimore”.


Ligji
P/ligji i propozuar nga qeveria ashpërson masat ndëshkuese ndaj shkeljeve fiskale. Së pari, nëse një biznes ndryshon adresën dhe nuk e raporton atë në QKR apo tek tatimet, do të ndëshkohet njësoj sikur është i paregjistruar. Së dyti, ndalon tregtarët e shumicës të shesin mallra me pakicë tek konsumatorët finalë. Kjo do të thotë se këto tregtarë nuk mund të shesin më me kuponë tatimor tek individët, por do të shesin vetëm me faturë tatimore për bizneset e pakicës. 


Më të lexuarat