Secondary Adv

MSH pritet te rinovoje 4 kontrata koncesionare me rendesi

Koncesionet me PPP në sektorin e shëndetësisë të kritikuara gjerësisht për kostot e larta kundrejt efikasitetit duket se do rinovohen pas përfundimit të afateve.

 

MSH nxori këto ditë për konsultim strategjinë 10-vjeçare deri më 2030 për ecurinë e politikave dhe financimeve në sektor. Koncesioni PPP për kontrollin bazë të popullsisë nisi në 2015 dhe përfundon në 2024, por në planin e qeverisë për 10-vjeçarin shërbimi do vijojë deri në 2030 dhe synohet të zgjerohet mosha e përfituesve që tani është 35-70 vjeç.

 

Koncesioni tjetër PPP për sterilizimin e sallave kirurgjikale nisi zbatimin në 2015 dhe përfundon në 2024, por MSH ka lajmëruar se shërbimet do të vijojnë deri në 2030. Koncesioni i shërbimit të Dializës është bërë aktiv në 2016 dhe mbaron në 2025, por shërbimi do të vijojë së paku deri në 2030.

 

Koncesioni i shërbimeve laboratorike nisi në 2019 dhe përfundon në 2028, por do të vijojë së paku deri me 2030 sipas planifikimeve të reja të MSH. Ministria e shëndetësisë lajmëroi se kostot për këto koncesione do të jenë të njëjta edhe pas përfundimit të kontratave.

 

“Kostoja e marrjes së shërbimeve si kontrolli mjekësor bazë për grup moshat 35-70 vjeç, zgjerimi i rrjetit të laboratorëve në spitalet universitare dhe rajonale, rritja e aksesit për qytetarët që përfitojnë nga paketa e shërbimit të dializës në të gjithë vendin dhe vazhdimësia e përdorimit të seteve të sterilizimit në shërbimin spitalor publik është llogaritur deri në vitin e përfundimit të kontratës.

 

Për shpenzimet deri në 2024 janë vendosur shpenzimet sipas PBA 2022-2024. Ndërsa shpenzimet pas 2024 janë vendosur duke marrë për bazë shpenzimin e parashikuar për vitin 2024, sipas PBA 2022-2024”, thuhet në dokumentin zyrtar të MSH.

 

Ndikimi buxhetor i koncesioneve në shëndetësi bëhet më i vështirë për faktin se raportimet nga Ministria Financave nga viti në vit ndryshojnë si për vlerën e plotë kontratave apo edhe për pagesat vjetore.

 

Të tjera vlera ka kontrata e shpallur në APP, të tjera në regjistrin e koncesioneve dhe vlera të tjera raporton Ministria e Financave për efektet të pagesave që ajo kryen. Veç të tjerash KLSH vuri në dukje se pagesat e TVSH që qeveria bën ndaj koncesioneve PPP ne shëndetësi janë të paligjshme.

 

Konstatohet se, edhe për 2020, vijojnë të pranohen dhe likuidohen faturat tatimore mujore të Check-Up, lëshuar nga koncesionari, në vlerën totale 322 milionë lekë, në të cilën përfshihet edhe TVSH në masën 20% mbi vlerën e shërbimit shëndetësor, ndërkohë që ky shërbim duhet të trajtohet si Furnizim i Përjashtuar nga TVSH.

 

Praktika vazhdon bazuar edhe në interpretimin e DPT, e cila ka referuar shërbimin si të tatueshëm” raportoi Kontrolli i Lartë i Shtetit në Kuvendin e Shqipërisë.

 

Nga auditimi për dy nga tre kontrata koncesionare, “Check-Up” dhe “Sterilizimi”, rezultoi se aplikohet Tatim mbi Vlerën e Shtuar, në masën 20 % mbi çmimin e kontraktuar. Ndërsa për shërbimin e “Hemodializës”, ky tatim nuk aplikohet.

 

Megjithëse të tre shërbimet e sipërcituar janë pjesë e zinxhirit të ofrimit të shërbimit shëndetësor ndaj pacientit nga institucione shëndetësore të licencuara, si dhe faturojnë njëlloj shërbimin drejt institucioneve shtetërore prej dhe nga paguhen, mënyra e faturimit të tyre ndryshon.

 

Megjithëse KLSH, në vazhdimësi, ka këshilluar ndryshimin e mënyrës së faturimit për shërbimin e “Check-Up”, situata nuk ka ndryshuar, por ajo vijon edhe në koncesionin e “Sterilizimit”.

 

Kjo mënyrë faturimi e shërbimit shëndetësor nuk është kundërshtuar nga Autoriteti, apo të jenë marrë nisma për qartësimin e frymës së ligjit me MFE, për zgjidhjen e ngërçit, i cili vijon të rëndojë në vazhdimësi financat publike.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/ministria-e-shendetesise-sinjalizon-rinovimin-e-4-kontratave-koncesionare-ppp-pas-perfundimit-te-afateve/


Më të lexuarat