Mjeket e Kosoves ne proteste, pacientet nuk marrin sherbime
Sot në të gjitha njësitë e Shërbimit Spitalor të Kosovës dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare nuk është ofruar shërbim pasi punonjësit shëndetësorë janë në grevë 8-orëshe.
E përmes kësaj greve, e cila nisi në orën 07:00 mjekët po kërkojnë që të procedohet Ligji i Pagave. Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla tha për Kp se të gjithë profesionistët shëndetësorë i janë përgjigjur grevës.
Ai tha se kërkesa e tyre mbetet e njëjtë, Ligji i Pagave, ndërsa shtoi se të hënën do të mblidhet Këshilli drejtues i kësaj Federate për të vendosur për masat që do të ndërmarrin për mos reflektim të Qeverisë karshi kërkesave të tyre.
“Ne kemi kërkuar si e kemi pasur edhe premtimin që Ligji i Pagave të vijë deri në fund të vitit në parlament, të parashihet në buxhetin 2022, me qëllim që të startohet.
Po ashtu, kemi kërkuar që pjesë e draftimit të këtij ligji të jemi edhe ne përfaqësuesit e sindikatave, por jo vetëm edhe shoqëria civile ta shohim nuk kanë reflektuar deri tani se si do të shkojë rrjedha nuk e di.
Të hënën merret vendimi përfundimtar, sepse të hënën mblidhet Këshilli Drejtues i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë dhe do të shohim se çfarë masa të mëtutjeshme duke shpresuar gjithmonë që të reflektojë Qeveria”, tha Syla.
Ai kërkoi nga Qeveria që të reflektojnë sa më parë pasi që kjo do t’i dëmtojë pacientët dhe do të ndikojë në ikjen e mjekëve nga Kosova.
“Kemi pasur premtime nga Kurti se që me ardhjen në pushtet do ta marrin seriozisht dhe do të rriten edhe koeficientet dhe kemi shpresuar shumë, por me ardhjen në pushtet kanë ndryshuar gjëra dhe neve që nga këto muaj nuk kemi pasur pothuajse fare përgjigje.
Edhe javën e kaluar u mbajt një grevë 8-orëshe nga punonjësit shëndetësorë dhe kërkesa e tyte ishte e njëjtë, procedimi i Ligjit të Pagave nga Qeveria e Kosovës./Burimi: Telegrafi