Rreth 1500 ndertesa ne privatizim, ja si do veprohet
Ministria e Bujqësisë kërkon përfundimin e privatizimit për rreth 1 500 objekte të ish-ndërmarrjeve Bujqësore, të cilat rezultojnë ende në pronësi të shtetit.
Bëhet fjalë për objektet që janë tjetërsuar pas vitit 1990 kur dhe u shkrinë fermat dhe ish-kooperativat. Pavarësisht se sipas VKM të vitit 1998 janë shlyer pagesat, nuk ka vijuar procesi i kalimit në pronësi.
Shkak për ngërçin, sipas sqarimit të bërë në relacionin e projektligjit i cili është në fazën e konsultimit, është bërë mungesa e kontratave të firmosura para noterit.
Në disa raste të tjera, pronarët e tyre nuk janë pajisur me kontratë shitje nga ish-Agjencia e Ristrukturimit dhe Privatizimit të ndërmarrjeve bujqësore edhe pse kanë shlyer faturat.
Një tjetër kategori që u jepet e drejta e hipotekës ka të bëjë për ish-ndërmarrjet për të cilat është hartuar një akt dhe është bërë një vlerësim për privatizimin por pa vijuar me procedurat e tjera.
Po në këtë draft, përcaktohet dhe procedura që do të ndiqet nga subjektet që nuk janë përfshirë në procedura në privatizim. Poseduesit apo ata që kërkojnë të bëhen pjesë duhet të paraqesin një kërkesë në Ministrinë e Bujqësisë dhe kjo e fundit brenda një afati 5-ditor vë në lëvizje agjencinë.
Institucionet përgjegjëse për përfundimin e procesit të privatizimit të ish-ndërmarrjeve bujqësore janë përcaktuar Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë./Burimi: Oranews.tv