Secondary Adv

KLSH zbulon shkeljet me tenderat, 430 mln euro demi ne buxhet

Nga janari deri në shtator dëmi në buxhetin e shtetit nga tenderat dhe keqmenaxhimi shkon në 430 milionë euro.

 

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar të dhënat nga auditimi ku theksohet se 30 milionë është dëm që vjen nga parregullsitë në të ardhura e shpenzime. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar shkelje me dëm në buxhetin e shtetit në vlerën e 430 milionë eurove.

 

Bëhet fjalë për një rezultat që ka dalë nga auditimi i 134 subjekteve prej muajit janar deri në shtator. Në raport thuhet se nga parregullsitë dhe shkeljet financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, dëmi ekonomik shkon në 29.5 milionë euro.

 

Ndërsa shuma me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara arrin në 400.9 milionë euro, nga e cila 46.6 milionë euro në fushën e të ardhurave dhe 354.3 milionë euro në fushën e shpenzimeve jo me eficencë.

 

Keqmenaxhimi i fondeve të programuara apo mungesa e kontrollit në realizimin e procedurave të prokurimit jo në përputhje me kuadrin ligjor mbetet ende shqetësim. Madje procedurat e prokurimit në shumë raste rezultojnë të realizuara jo në përputhje me kuadrin ligjor.

 

Pas shkeljeve të zbuluara, KLSH ka përcjellë në Prokurori 7 kallëzime penale. Sa i përket dëmit në shpenzimet për paga, sigurime dhe shpërblime janë zbuluar 25,212 milionë lekë shkelje, në shpenzimet operative 32,578 milionë lekë dhe në shpenzimet për investime 337,608 milionë lekë./Burimi: Panorama.al


Më të lexuarat