Secondary Adv

Aeroporti i Kukesit 2 muaj pa fluturime, ja kur rinisin

Prej dy muajsh, fluturimet përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Kukësit “Zayed, Flatrat e Veriut” janë ndërprerë.

 

Dy kompanitë ajrore “Air Albania” dhe ajo zvicerane “Helvetic Airways” nuk kanë programuar fluturime të tjera. Sipas drejtorit të Aeroportit të Kukësit, Altin Progonati, kjo ndërprerje ka të bëjë me rënien e fluksit të fluturimeve për sezonin e dimrit.

 

Drejtori i Aeroportit të Kukësit, Altin Progonati, ka bërë të ditur se fluturimet do të rinisin në muajin shkurt me dy ose trefishin e atyre më parë, ndërkohë që me rifillimin e fluturimeve, Aeroporti i Kukësit do të jetë i ndriçuar për të bërë të mundur që fluturimet në këtë aeroport të bëhen gjatë 24 orëve.

 

“Fluturimet e programuara janë ndërprerë për shkak se kompanitë ajrore reduktojnë numrin e tyre të fluturimeve gjatë sezonit të dimrit, pasi fluksi i pasagjerëve nuk është më ai që ka qenë gjatë sezonit të verës.

 

Kjo është arsyeja kryesore. Arsyeja e dytë është se fluturimet Charter janë të hapura dhe mund të ndodhin herë pas here në varësi të kërkesave që kanë kompanitë charter nga klientët e tyre”, tha për Kohën, Progonati.

 

Ai shtoi se krahas shtimit të pasagjerëve, pas muajit shkurt, do të shtohen edhe destinacionet e fluturimeve nga Aeroporti i Kukësit. “Bëhet fjalë për një shtim të fluksit, dyfishim ose dhe më tepër fluturime, si dhe destinacione të reja.

 

Presim të fillojë linja me Londrën, disa destinacione me Gjermaninë, si dhe do të jenë destinacionet e sezonit të kaluar që kishte Aeroporti i Kukësit. Do të kemi një fluks të shtuar edhe me chartera”, tha ai.

 

Megjithëse në Aeroportin e Kukësit nuk ka fluturime, në këtë aeroport, sipas drejtorit Progonati, punohet çdo ditë me kapacitet të plotë të numrit të punonjësve, pasi ka punë të tjera që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen dhe meremetimet në Aeroport.

 

“Deri më tani, Aeroporti i Kukësit ka funksionuar vetëm gjatë ditës. Me rifillimin e fluturimeve, Aeroporti do të jetë i ndriçuar për të bërë të mundur që ai të jetë në funksion përgjatë 24 orëve”, u shpreh Progonati.

 

Ai i quajti spekulime lajmet se Aeroporti nuk është i licencuar. “Aeroporti i Kukësit është certifikuar që më 18 prill kur është bërë fluturimi i parë. Aeroporti ka pritur më 9 korrik të këtij viti zyrtarisht avionin e parë.

 

Në aeroportin e dytë ndërkombëtar shqiptar, u ul të premten e 9 korrikut nga Zyrihu avioni me 67 udhëtarë i “Helvetic Airways”, duke shënuar kështu nisjen zyrtare të fluturimeve nga ky aeroport.

 

Por, numri i fluturimeve në Aeroportin e Kukësit ka rënë ndjeshëm nga mesi i shtatorit, duke u reduktuar në vetëm një fluturim në javë me destinacion Stambollin nga kompania “Air Albania”. Gjatë periudhës së fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Kukësit u regjistruan më shumë se 12 mijë pasagjerë./Burimi: Oranews.tv


Më të lexuarat