Secondary Adv

Informaliteti, mbi 47 mije kontrolle ne te gjithe vendin

Që prej nisjes së operacionit kundër informalitetit Drejtoria e Tatimeve bën me dije se janë ushtruar mbi 47 mijë kontrolle dhe se ka konstatuar vetem 8% shkelje. Sipas të dhënave niveli i shkeljeve të konstatuara në krahasim me disa ditë më parë është ulur me 3%.


Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Brisida Shehaj deklaroi të premten se që nga data 1 shtator në kuadër të operacionit kundër informalitetit janë kryer rreth 47 mijë kontrolle nga të cilat vetëm 8 % e subjekteve kanë rezultuar me shkelje.“Deri në datën 23 shtator janë kryer 47048 kontrolle dhe vetëm 8 % e tyre janë gjetur me shkelje. Janë gjetur 535 subjekte dhe 625 punonjës të paregjistruar. Në muajin shtator kemi rritje të xhiros së deklaruar me 35 % krahasuar me shtatorin e vitit 2014 apo në vlerë prej 14 miliard lekë, si dhe 60 % apo 21 miliard lekë më shumë se në shtatorin e 2013-ës”, deklaroi Shehaj.


Ndryshimet në ligjin “Për procedurat tatimore” ashpërsojnë ndëshkimet për biznesin që kryen evazion fiskal nga gjobë deri edhe në ndjekje penale, si dhe synojnë të shmangin konfliktin e interesit në radhët e inspektorëve tatimorë.Shehaj në një deklaratë për mediat mesditën e së premtes bëri të ditur se për çdo shkelës, përveç gjobës dhe sekuestrimit të mallit, inspektorët mund të kallëzojnë penalisht për evazion fiskal çdo biznes.“Nga ana tjetër, çdo punonjës i tatimeve i ndalohet që të ketë në pronësi të tij apo të afërmëve zyrë konsulence financiare apo kontabiliteti. Nëse shkelet, merret masa e shkarkimit menjëherë nga detyra”, tha Shehaj

Ja gjobat për bizneset
Drejtoria e Tatimeve bëri ditën e djeshme publike listën e gjobave që do të vendosen ndaj tatimpaguesve, në rast se nuk respektojnë ligjet.
“Pas datës 1 janar 2016 për tatimpaguesit që i kanë paguar të gjithë gjobat, nuk do bëhet kallëzim penal. Çdo ushtrim i padeklaruar aktiviteti do shoqërohet me 500 mijë lekë gjobë. Çdo punonjës i padeklaruar 500 mijë lekë, mosdeklarimi real, do të shoqërohet me gjobë prej 500 mijë lekësh. Për bizneset e mëdha 10 milionë lekë dhe konfiskim të mallit. Mosafishimi i posterit “Merr kuponin” dhe i çmimeve, 500 mijë lekë. Mosafishimi i posterit që s’ka të drejtë të paguajë po s’mori kupon, 500 mijë lekë. Për të gjitha rastet pas konstatimit të përsëritur, ushtrohet e drejta për kallëzim penal”, tha Shehaj.


Më të lexuarat