Mbushet Fierza, Shqiperia nderpret importin e energjise
Që prej një jave Shqipëria nuk importon energji elektrike për të furnizuar vendin.
Reshjet intensive të shiut kanë ndikuar në rritjen e prurjeve në kaskadën e Drinit dhe si rezultat edhe në sasinë e energjisë së prodhuar. Në total prodhimi i energjisë elektrike rezulton se është afërsisht 20 mijë megavatorë në ditë në të tre HEC.
Sipas Korporatës Elektronergjetike Shqiptare prurjet në kaskadën e Drinit kanë arritur në 1481 m3/s nga 85 m3 në sekondë që kanë qenë dy javë më parë. Po ashtu edhe niveli i ujit në liqenin e Fierzës ka arritur të kaloj pikën kritike ndërsa niveli i regjistruar është 270,23m.
Edhe në HEC e tjera gjendja ka njohur përmirësim si në kuota po ashtu edhe në sasinë e prodhuar të energjisë. Në Koman niveli ka arritur 172.2 m ndërsa në Vaun e Dejës niveli rezulton 74.60 m3/s.
KESH bën me dije se në Fierzë aktualisht nuk po prodhohet energji elektrike por jo me kapacitet të plotë me qellim rritjen e rezervës energjetike ndërsa në dy HEC e tjera po prodhohet me kapacitet të plotë.
Pak muaj më parë qeveria ka shpallur emergjencë energjetike në vend ndërsa çmimi i energjisë elektrike në bursë arriti në nivele rekord pasi shumë vende ishin në krizë energjetike.
Për të shmangur problemet e furnizimit me energji Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike iu akorduar në garanci sovrane në vlerën e 20 miliard lekëve.