Rritet me 13.4 per qind cmimi i energjise elektrike ne Kosove
Çmimi i energjisë elektrike dhe gazit gjatë tremujorit të tretë të 2021-së është rritur për 13.4 për qind, ndërsa brenda një viti për 17 për qind.
Kështu thuhet në raportin “Indeksi i Çmimeve të Prodhimit (IÇP), tremujori i tretë 2021“, publikuar nga ASK, duke shtuar se IÇP është ngritur për 4.4% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit aktual. “Indeksi i tërësishëm i Çmimeve të Prodhimit në Kosovë u ngrit për 4.4% në tremujorin e tretë 2021, krahasuar me tremujorin e dytë 2021.
Ngritje më të mëdha vërehen te energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar me 13.4%, prodhimi i mobilieve me 7.2%, prodhimi i metaleve me 5.3%, prodhimi i pajisjeve elektrike me 4%, prodhimi i makinerisë me 3.4%, prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit me 2.9%,
prodhimi produkteve të gomës dhe të plastikës me 2.3%, prodhimi i produkteve minerale jo-metalike me 1.1%, nxjerrja e xehes së metalit me 0.7%, përpunimi i produkteve ushqimore me 0.7% dhe prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike me 0.3%”, thuhet në raport, përcjell Telegrafi.
Sipas ASK, ngritja u neutralizua me rënien e çmimeve te prodhimi i pijeve dhe i mjeteve të transportit. Krahasuar brenda një viti, çmimet e prodhimit u ngritën në një mesatare prej 6.9%, ku energjia elektrike u rrit për 17%.
“Krahasuar tremujorin e tretë 2021 me tremujorin e tretë 2020, çmimet e prodhimit u ngritën në një mesatare prej 6.9%. Ngritja u neutralizua nga rënia e çmimeve të prodhimit të lëkurës dhe produkteve prej saj me 3.3%, xeheroret dhe guroret e tjera me 0.8%, prodhimi i pijeve me 0.2% dhe prodhimi i mjeteve të transportit me 0.1%./Burimi: Telegrafi