Secondary Adv

Mirembajtja e rrugeve, edhe 80 mln USD per ti kthyer ne gjendje normale

Gjendja e një pjese të mirë të rrjetit rrugor në vend paraqitet problematike dhe amortizimi i tyre ka rritur vit pas viti koston që duhet për t’i sjellë ato në kushte normale për mirëmbajtje.


Në konferencën ndërkombëtare të mbajtur dje në Tiranë, ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto, tha se nga një vlerësim i bërë paraprakisht duhen jo më pak se 80 milionë euro për të përmirësuar gjendjen e rrugëve kryesore në vend.“Fakt është që paratë që janë tradicionalisht të destinuara për mirëmbajtjen, kanë qenë shumë poshtë normave që duhen. Që do të thotë gradualisht kemi shkuar në një gjendje ku na duhet një investim kapital shumë më i madh sesa do të ishte investimi për mirëmbajtjen rutinë dhe periodike të rrugëve tona. Nga një përllogaritje që kemi bërë na duhet një investim prej 80 milionë dollarësh për të sjellë rrjetin tonë rrugor në një gjendje të mirëmbajtjes rutinë”, tha Haxhinasto në fjalën e tij.


Sakaq ministri solli në vëmendje edhe projektin me Bankën Botërore ku është rënë dakord për 130 milionë euro që do të destinohen për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor në vend. Ky projekt është 5-vjeçar dhe paraprakisht do të marrë rezultatet e studimit që po kryhet për mirëmbajtjen bazuar në performancën.


Partneriteti
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës bëri dje thirrje ndaj biznesit që të bëhet partner në projekte të rëndësishme infrastrukturore.
“Bëj thirrje të gjejmë skema bashkëpunimi midis komunitetit të biznesit, midis sektorit privat dhe atij publik shqiptar, për të realizuar vepra të rëndësishme të infrastrukturës. Besoj se investimi ka shumë mundësi të kthehet në veprat e infrastrukturës, sesa mbajtja e parave nëpër banka. Kjo është një çështje që jemi të hapur e të gatshëm ta diskutojmë pasi duhet të ndjekim edhe praktikat më të mira europiane, ku komuniteti i biznesit angazhohet në skema shumë përfituese në realizimin e infrastrukturës, duke lehtësuar shtetin dhe duke përdorur paratë për qëllime shumë të domosdoshme”, tha Haxhinasto.Kjo, në fakt, nuk është e re, pasi qeveria prej kohësh ka deklaruar se një pjesë e mirë e infrastrukturës rrugore do të shihet si opsion për të kaluar te privati përmes partneriteteve publike private. Në disa raste kalimi mund të jetë vetëm për mirëmbajtjen, ndërsa për vepra të tjera që mund të rezultojnë fizibël pas studimeve, partner për ndërtimin dhe më pas mirëmbajtjen mund të bëhet edhe biznesi./Panorama


Më të lexuarat