Mbyllen hyrje daljet ne Sukth, bizneset kundershtojne aksionin
Pronarët e bizneseve në Sukth të Durrësit janë përballur sot me inspektorët e ARRSH, të cilët kanë vijuar me mbylljen e hyrje-daljeve të paligjshme.
Bizneset pretendojnë se nuk janë njoftuar mbi këtë aksion dhe se mbyllja e rrugës praktikisht i falimenton. Sipas tyre prej vitesh kanë paguar taksat e biznesit, ndërsa tani po quhen të paligjshëm. "Kemi vite qe paguajmë taksa dhe detyrime, tani na quani të paligjshëm", thotë njëri prej tyre.
Në mbështetje të tyre ka dalë edhe Kreu i Dhomës së Tregtisë, Alban Isteri, i cili ka kërkuar ndërprerjen e këtij aksioni, deri në sqarimin e situatës. Ai deklaron se si pasojë e këtij aksioni preken 900 biznese dhe 2 mijë punonjës rrezikojnë të mbeten pa punë.
"Janë 900 biznese, 20000 punonjës rrezikojnë të mbeten pa punë. Jemi të gjithë bashkë këtu dhe themi që deri sa të sqarohet kjo çështje, ju nuk mund të cenoni bizneset. Po cenohet e drejta jonë", shprehet ai.
Megjithatë inspektori i ARRSH shprehet se nuk mund të ndalohet aksioni, pasi urdhri është ndryshe dhe hyrje-daljet e piketuara për t'u mbyllur janë pa leje dhe jashtë rregullave duke u kthyer në burim aksidentesh.
Pronarët e bizneseve u ngritën dje edhe në Maminas kundër këtij aksioni, duke pretenduar se nuk ishin njoftuar si dhe duke kërkuar një rrugë dytësore në të cilën të kryejnë normalisht aktivitetin e tyre si biznese. Pavarësisht pretendimeve të tyre, ARRSH ka vijuar me aksionin që ka nisur që prej 27 nëntorit./Burimi: Shqiptarja.com