Secondary Adv

Rritet indeksi i besimit ne ekonomi, shkak ndertimi

Treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit në muajin nëntor, pas një serie prej tre muajsh radhazi në rënie.

 

Vrojtimi i besimit të biznesit dhe konsumatorit i Bankës së Shqipërisë shënoi rritje me 0.9 pikë në muajin nëntor. Rritja u përcaktua kryesisht nga përmirësimi i besimit në sektorin e ndërtimit dhe nga një rritje e lehtë e besimit konsumator.

 

Treguesi i besimit në ndërtim u rrit me 6.3 pikë përqindje në muajin nëntor, duke arritur vlerën më të lartë të pesë viteve të fundit. Rritja e treguesit reflektoi kryesisht vlerësimin optimist të bizneseve për porositë aktuale.

 

Bizneset vlerësuan gjithashtu në përmirësim aktivitetin ndërtues gjatë muajve të fundit. Rritje regjistruan dhe pritjet për nivelin e punësimit dhe të çmimeve në të ardhmen.

 

Treguesi i besimit konsumator u rrit me 0.8 pikë përqindje, duke reflektuar kryesisht pritjet e tyre më pozitive për gjendjen e përgjithshme ekonomike dhe situatën e tyre financiarë në të ardhmen.

 

Por, ndërkohë, vlerësimi i konsumatorëve për blerjet në shuma të mëdha, si dhe pritjet për blerjen e tyre në të ardhmen ishte në rënie edhe për nëntorin. Treguesi i besimit në shërbime mbeti pothuaj i pandryshuar nga niveli i muajit të kaluar.

 

Bizneset vlerësuan më pak pozitivisht ecurinë e tyre gjatë këtij muaji, megjithëse kërkesa për shërbimet e ofruara u vlerësua në rritje. Pritjet e tyre për të ardhmen janë vlerësuar më pozitivisht si për kërkesën për shërbime ashtu edhe për situatën e punësimit.

 

Pritjet për çmimet që do të vendosin në muajt e ardhshëm janë rishikuar për poshtë nga bizneset e sektorit të shërbimeve. Treguesi i besimit në tregti ra me 1.2 pikë përqindje në muajin nëntor.

 

Megjithatë, niveli i tij vijon të qëndrojë mbi mesataren historike. Rënia e treguesit reflektoi kryesisht vlerësimet më të dobëta të bizneseve të tregtisë për ecurinë aktuale të biznesit.

 

Gjithashtu, pritjet e tyre për ecurinë e biznesit dhe të punësimit në muajt e ardhshëm janë vlerësuar me rënie. Ndërkohë, pritjet për çmimet e produkteve të tyre në të ardhmen kanë vijuar prirjen rritëse në këtë muaj.

 

Treguesi i besimit të industrisë shënoi rënie me 2.7 pikë përqindje në nëntor, duke reflektuar kryesisht vlerësimin më të ulët të bizneseve për prodhimin aktual. Po ashtu, vlerësimet e tyre për kontratat porositëse në total u vlerësuan më dobët në krahasim me një muaj më parë.

 

Ndërkohë, vlerësimi për kontratat nga eksportet shënoi rritje. Pavarësisht rënies mujore, besimi qëndron 8.4 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Pritjet e bizneseve për ecurinë e prodhimit, për situatën e punësimit dhe çmimet e shitjes në muajt e ardhshëm janë me rritje.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/ndertimi-rrit-indeksin-e-besimit-ne-ekonomi/


Më të lexuarat