Secondary Adv

Projekti 1 milion euro per Alpet Shqiptare, marreveshja pritet te miratohet ne Kuvend

Zona e Alpeve në Shqipëri vlerësohet si një zonë me potencial turistik që po njeh rritje të shpejtë. Banka e Këshillit të Europës i ka akorduar qeverisë shqiptare një fond në vlerë 1 milion euro, marrëveshje që do të miratohet këtë javë në Kuvend.


Të dhënat zyrtare dëshmojnë për rritjen me 25 herë të numrit të turistëve në këtë zonë, ndaj edhe masat që po merren janë përmirësimi i infrastrukturës dhe hartimi i një strategjie marketingu me qëllim faktorizimin e mëtejshëm të kësaj zone.Për këtë qëllim, Banka e Këshillit të Europës i ka akorduar qeverisë shqiptare një fond në vlerë 1 milion euro, marrëveshje që do të miratohet këtë javë në Kuvend. Referuar marrëveshjes, ky fond do të përdoret evidentimin e potencialit real të zonës, për hartimin e planit vendor që i paraprin numrit në rritje të turistëve, për evidentimin e nevojës për investime infrastrukturore si dhe për një strategji marketingu për zhvillimin e një aktiviteti konkurrues turistik.


Alpet Shqiptare në veri të vendit përbëhen nga 10 njësi të qeverisjes vendore në rajonin e Shkodrës dhe Kukësit. Zona vlerësohet se ka potenciale të konsiderueshme për zhvillimin e turizmit, por ajo karakterizohet gjithashtu, nga papunësi e lartë, infrastrukturë dhe shërbime të dobëta publike. Të ardhurat kryesore, që janë në nivele të ulta, gjenerohen, kryesisht, nga bujqësia dhe turizmi.


Një studim i realizuar nga qeveria shqiptare del në konkluzionin se popullata lokale po përfshihet gjithnjë e më shumë në sektorin e turizmit, duke ofruar shtëpitë private si hane apo bujtina për akomodimin e turistëve, si një mundësi për gjenerim të ardhurash. Referuar të dhënave të studimit, nga viti 2006 deri në vitin 2009 numri i turistëve në zonë është rritur nga 300 në 7 500 turistë/vit. Burimet e shumta që ka zona, sipas relacionit ë marrëveshjes, bëjnë të nevojshme planifikimin e zhvillimit lokal, si një mundësi për të nxitur dhe garantuar zhvillimin e qëndrueshëm social dhe ekonomik.


Më të lexuarat