Secondary Adv

Ja si do zgjidhen subjektet e medha per kontrollet mbi baze risku

TVSH-ja analizohet nga 18 rregulla, tatim fitimi nga 11, tatim fitimi i thjeshtuar 8, tatimi mbi të ardhurat 5, TVSH dhe tatim fitimi 3 dhe detyrimet tatimore të papaguara nga 2 rregulla të riskut, të tjera 4.


Drejtoria e Tatimeve ka publikuar Modelin e Riskut Tatimor, i cili analizon një sërë elementësh për identifikimin e shenjave të evazionit fiskal, përmes një programi kompjuterik që mbledh të dhënat për çdo tatimpagues dhe shton pikët e riskut për tatimin e humbur për secilën prej tyre, duke i renditur sipas modelit të riskut. Psh, sqarojnë tatimet, rreziku do të ishte i qartë, në rast se tatimi mbi fitimin i subjektit do të tregonte një të ardhur më të madhe sesa kufiri minimal i regjistrimit në TVSH, ndërkohë që biznesi nuk është i regjistruar në TVSH.


Në modelin e vlerësimit të riskut, TVSH ka pikët më të larta dhe tatimi mbi pronën ato më të ulëta. Për më tepër, çdo rregull është programuar që të prodhojë një rezultat për tatimin e humbur, në rast “thyerje” të tij, duke u bazuar në rezultatet mesatare të sektorit ekonomik ku zbatohet.
Aktualisht modeli përmban 55 rregulla risku, të cilat mbikëqyrin të gjitha llojet e tatimeve dhe shumicën e risqeve të lidhura me to. TVSH analizohet nga 18 rregulla, tatim fitimi nga 11, tatim fitimi i thjeshtuar 8, tatimi mbi të ardhurat 5, TVSH dhe tatim fitimi 3 dhe detyrimet tatimore të papaguara nga 2 rregulla të riskut, të tjera 4.

Tatimet sqarojnë se ky model i shqyrton risqet e mospërmbushjes në 3 perspektiva.
Rregullat e riskut analizojnë performancën relative të çdo tatimpaguesi në vite për deklarimin dhe pagesën e detyrimeve tatimore të regjistruara.
Performanca e çdo tatimpaguesi krahasohet me performancën e mesatares së sektorit ku ushtron aktivitetin subjekti.
Performanca e sektorit ekonomik krahasohet me performancën e të njëjtit sektor në rajone të ndryshme dhe rang kombëtar.
Modeli zbaton parimin e segmentimit të tregut mbi kritere objektive, duke mundësuar trajtimin e përshtatshëm të veçorive të riskut, për risqe të veçanta të lidhura me tatimpaguesin. Ai është ndërtuar në bazë të strategjisë së Bashkimit Europian për menaxhimin e riskut, i cili rekomandon gjithashtu se përpjekjet për uljen e evazionit tatimor duhet të përqendrohen në të gjithë sektorët, tatimet ose proceset ku ka rreziqe të dukshme dhe jo mbi përzgjedhje të pastrukturuar të tatimpaguesve individualë për kontroll, bazuar vetëm në pikët e riskut nga një model kompjuterik.

Si do zgjidhen kompanitë që do të kontrollohen
Sipas tatimeve, duke qenë se kapacitetet bëjnë të pamundur të kontrollohen të gjithë tatimpaguesit me risk të lartë, do të vlerësohen rreziqet kryesore në mënyrë sistematike:
– Cilët janë sektorët ekonomikë më të rrezikuar
– Çfarë taksash ose procedurash janë më me risk?
– Cila është pesha e tyre në total.


Analiza e identifikimit të zonave me rrezik do të bëhet në Drejtorinë e Menaxhimit të Riskut në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Në mënyrë tipike, projektet e pajtueshmërisë do të përfshijnë:
-Analizë për të parë se kush nga tatimpaguesit më të rrezikuar janë në secilin grup të riskut
-informimin e çdo biznesi në sektor që rreziqet e veçanta janë identifikuar
-mundësinë që çdo biznes në sektor të shqyrtojë pagesat e taksave dhe të korrigjojë ndonjë gabim para një date të caktuar, duke përdorur njëkohësisht kanalet e informimit për të dhënë mesazhin.
-nëse është e mundur, duke u ofruar tatimpaguesve, të cilët janë të përgatitur për të korrigjuar ndonjë gabim të deklaratave një nxitje në formën e reduktimit të interesit.
-Kontroll për ata tatimpagues që “nuk reflektojnë” gjatë afatit të zbulimit- ata do të paguajnë taksën e plotë, një normë interesi dhe dënime të larta.
Kontrolli synon tatimpaguesit me risk të lartë në sektorët e përzgjedhur, të cilët refuzojnë të bashkëpunojnë me projekte të pajtueshmërisë.

Në sitë 46 kompani
Ministri i Financave Shkëlqim Cani ka pohuar në daljen e fundit për shtyp se ka filluar tashmë kontrolli mbi bazë risku. Aktualisht janë përzgjedhur rreth 30 mijë biznese, si me risk, nga të cilat janë përzgjedhur si parësore 3000, por deri tani është bërë një rakordim për 46 biznese, sepse nuk mund të kontrollohen të gjithë njëherësh.

Kriteret e përzgjedhjes së kompanive, sipas ministrit, janë:
-si sillesh ndaj organeve, i paguan detyrimet në kohë, ke rishikim të shpeshtë deklaratash;
-performanca, paguan në një periudhë kohore më shumë apo më pak tatim fitimi, TAP, TVSH;
-sektoriale, kompania krahasohet si e ka sjelljen brenda sektorit, pagën e punëtorëve në raport me kompanitë e tjera të sektorit etj.
Këtë e bën vetë sistemi i IT dhe jo individët, duke shmangur abuzimet, tha Cani./Monitor


Më të lexuarat