Ndryshon aplikimi per kredite e buta, procedura hap pas hapi
Qytetarët që aplikojnë për kredi të butë, nuk duhet të dorëzojnë dokumentacion, por do plotësojnë vetëm 1 formular TIP në njësinë administrative ku banojnë.
Kështu, në formluar qytetarët duhet të plotësojnë të dhënat kryesore, si emri, mbiemri, datëlindja, qyteti, banimi i aplikantit, si dhe gjendjen familjare të tij sipas certifikatës përkatëse. Po ashtu kërkohet të deklarohet specifikisht punësimi.
Një sektion i formularit, kërkon të dhëna të detajuara mbi kushtet e strehimit në të cilat ndodhet aplikanti, ndërsa më pas janë të renditura pyetje lidhur mbi kushtet familjare dhe kushtet sociale.
Në fund, aplikantët deklarojnë të dhëna mbi të ardhurat e tyre familjare ku përfshihen të ardhurat neto nga punësimi, dypunësimi, pagesa e papunësisë, pagesa e ndihmës ekonomike, pensioni, dërgesa nga emigracioni, qira nga prona, transferta të tjera nga të afërm, si dhe çdo lloj e ardhure tjetër që sigurohet mbi baza mujore ose vjetore nga trashëgimi, interesa bankare etj.
Pasi bëhet aplikimi përmes formularit TIP, Bashkia e Tiranës bën verifikimin e aplikimeve dhe kontakton aplikantët e përzgjedhur, të cilët do kenë në dispozicion 1 muaj kohë për të bërë gati dokumentacionin përkatës që vërteton deklarimin dhe vërtetësinë e plotësimit të formularit të strehimit.
Dosja e dokumentacionit dorëzohet pranë Zyrës së Pritjes me Qytetarin në Bashkinë Tiranë./Burimi: SCAN