Secondary Adv

Nuk ka shtyrje, falja e gjobave per fiskalizimin deri ne fund te vitit

Administrata Tatimore kujton se falja e gjobave pёr Fiskalizimin do tё vijojё deri mё 31 Dhjetor 2021.

 

Por, Nga 1 janari 2022 kur përfundon afati i aktit normativ për mosvendosjen e gjobave, procesi i fiskalizimit nuk do të funksionojë i plotë. Vetëm disa javë para përfundimit të periudhës të mosaplikimit të gjobave janë fiskalizuar 45% e bizneseve.

 

Sipas të dhënave të përditësuara të administratës tatimore deri tani rezultojnë të fiskalizuar 54,504 biznese. Detyrimin për t’u fiskalizuar e kanë 120,000 subjekte, 90,000 prej tyre janë tatimpagues të vegjël.

 

Për shkak të numrit të ulët të bizneseve të fiskalizuara dhe problematikave të pazgjidhura për portalin SelfCare, kontabilisti Sotiraq Dhamo thotë se të dyja palët janë në diskutime për shtyrjen e periudhës tranzitore.

 

“Nuk mbetet zgjidhje tjetër, sepse janë një numër i madh kompanish, si biznes i madh dhe i vogël që ende nuk kanë aplikuar për certifikatë elektronike. Janë ende edhe 65,000 biznese të pafiskalizuara që nuk do të mund të arrijnë të fiskalizohen brenda këtij viti.

 

Gjithashtu janë një sërë problemesh që administrata tatimore nuk u jep dot përgjigje, pasi edhe konsulenti i projektit nuk po u përgjigjet. Kapacitet e administratës tatimore mungojnë për të mbështetur problematikat teknike e krijuara.

 

Për këtë periudhë prove duhej të zbatohej projekti pilot vetëm për një numër të caktuar biznesesh, jo për të gjitha subjektet, siç po ndodh. Kjo situatë do të vazhdojë edhe vitin tjetër, të paktën deri në muajin qershor 2021, për t’u regjistruar të gjitha bizneset”.

 

Arsyet e mosfiskalizimit të bizneseve, sidomos biznesit të vogël sipas kontabilistit Sotiraq Dhamo janë të shumta, duke nisur që nga kostoja, shmangia e kontrolleve për evazion dhe mosnjohja e aktit normativ për mosvendosjen e gjobave.

 

“Kjo është një reformë që kryhet për herë të parë në vend. Disa biznese kanë frikë, duke qenë se është një proces i ri që zbatohet dhe kjo do t’i pengojë për të vazhduar evazionin. Për këtë arsye bëjnë rezistencë.

 

Kostot e ndryshimit të sistemit dhe konsulenca për zbatimin e tij janë kosto që duhet të paguajë biznesi. Kjo është një tjetër arsye përse bizneset ngurojnë të fiskalizohen.

 

Në kahun tjetër edhe akti normativ për vendosjen e gjobave është keqkuptuar nga shumë subjekte, duke menduar se fiskalizimi nis zbatimin më 1 janar 2022.”/Burimi: Monitor https://www.monitor.al/tatimet-falja-e-gjobave-per-fiskalizimin-do-vijoje-deri-ne-31-dhjetor-2021/


Më të lexuarat