Baza e NATO ne Kucove, rreth 1 mln euro per shpronesimet
Ndërsa Ministri i Mbrojtjes paralajmëroi nisjen e punimeve për bazën ajrore të NATO në Kuçovë, Qeveria ka përgatitur edhe listën e shpronësimeve për banorët e zonës.
Sipas Vendimit të Qeverisë, Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të tij është 12 muaj pas datës së hyrjes në fuqi të tij.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit tokë “arë” dhe “truall”, “ndërtesë” dhe “kultura bujqësore”, me vlerë 109 milionë lekë.
Vendimi i Qeverisë ngarkon Agjencinë e Kadastrës, në bashkëpunim me MB, brenda 30 ditëve, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes për Komandën e Forcës Ajrore.
Projekti parashikon kthimin e Bazës Ajrore Kuçovë në Bazë Ajrore Taktike të NATO-s. Investimi total pritet të shkojë në rreth 50 milionë euro, duke I dhënë një nxitje positive edhe ekonomisë së zonës.
Përtej pistës së fluturimeve aty pritet të ndërtohet edhe një radar supermodern tridimensional. Vetë NATO është shprehur se baza është pozicionuar në një vend shumë strategjik dhe ofron kushte atmosferike shumë të mira ku edhe mund të ulen shumë lehtësisht mjetet ajrore./Burimi: SCAN