Secondary Adv

Franca merr presidencen e BE, Macron paralajmeron konferencen per Ballkanin

Presidenti francez Macron ka paralajmëruar mbajtjen e një konference për Ballkanin Perëndimor, gjatë kohës që Franca do të marrë presidencën e BE në 1 janar.

 

“Fqinjësia jonë më e afërt është Ballkani Perëndimor i cili është më shumë se fqinjësi, është në zemër të Evropës”, tha Macron për gazetarët. Sipas Macron presidenca e Francës synon që të kemi një Evropë të fuqishme në botë, e lirë për të bërë zgjedhjet e veta dhe e aftë për të zotëruar fatin e saj.

 

Macron tha se donte një Evropë që është në gjendje të kontrollojë kufijtë e saj dhe gjatë presidencës do të prezantojë një reformë të zonës Shengen. "Fqinjët më pranë nesh janë Ballkani Perëndimor.

 

Në muajin qershor do të organizojmë një konferencë për Ballkanin Perëndimor sepse, më shumë sesa të qënurit fqinj, Ballkani është në zemër të Evropës dhe për këtë mjafton t’i hedhësh sy hartës, mjafton të shohësh historinë tonë.

 

Ky rajon sot përshkohet nga tensione të reja dhe atje po rikthehet historia, në disa raste madje në formën e saj tragjike; prandaj kemi një përgjegjësi shumë të veçantë sot lidhur me Ballkanin Perëndimor.

 

Ne duhet të ndjekim një politikë riangazhimi në rajon, por edhe një politikë investimesh për të nxitur integrimin ekonomik të tij, për të zhvilluar këmbimet mes njerëzve, për të ngritur çështjen e minoriteteve që përshkon të gjithë rajonin,

 

si edhe për të luftuar ndërhyrjet dhe manipulimet të cilat janë vepër e një numër fuqish rajonale të cilat kërkojnë që, përmes Ballkanit, të destabilizojnë Evropën.

 

Unë besoj se kjo punë, e cila është një punë sa politike aq edhe ekonomike në lidhje me Ballkanin Perëndimor, është një agjendë e vërtetë sovraniteti për Evropën tonë, sepse ne nuk do mund të ndërtojmë një Evropë të paqes për 50 vitet e ardhshme nëse e lëmë Ballkanin në gjendjen në të cilën ai ndodhet sot.

 

Për këtë arsye, duhet qartësuar perspektiva evropiane e tij, duhet riinvestuar në këtë rajon për unitetin e tij, duke pasur një realisht ambicje të përbashkët për dekadat e ardhshme", tha Macron./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat