Secondary Adv

Zbardhet fondi per pronaret, ne 3 vjet shperndahen 120 mln USD

Ndryshe nga çfarë përcaktohet në ligin e ndryshuar, fondi vjetor për kompensimin e pronarëve nuk do të tejkalojë shifrën e 50 mijë dollarëve.

 

Në total deri në 2024 për kompensimin e pronarëve do të disbursohen nga buxheti i shtetit rreth 120 milionë dollarë. Qeveria ka hartuar programin buxhetor afatmesëm në të cilin është parashikuar që për 3 vitet e ardhshme, për skemën e kompensimit të pronarëve të shkojnë rreth 12 miliardë lekë, e ndarë kjo në 3 këste.

 

Kështu, për vitin që vjen fondi në adresë të pronarëve do të jetë 3 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2023 do të 4.7 miliardë, shifër kjo që nuk ndryshon as një vit më pas.

 

Këtu përfshihen edhe të ardhurat që vijnë nga Agjencia e Kadastrës, para këto të cilat shkojnë për familjet e shpronësuara për efekt të procesit legalizues.

 

Në këto kushte, ajo çka mbetet është e pamjaftueshme për të mbuluar faturën e kompensimit për më shumë se 25 mijë vendime të formës së prerë që presin të ekzekutohen.

 

PËRFITUESIT

Në programin buxhetor përcaktohet po ashtu edhe një rritje e numrit të përfituesve nga skema e kompensimit. Përgjatë këtij viti kanë marrë paratë e kompensimit vetëm një numër i reduktuar pronarësh, kjo për shkak edhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila në shkurt rrëzoi skemën duke kërkuar nga qeveria rishikimin e saj.

 

Kështu, deri në 2024 parashikohet që të marrin paratë e kompensimit 4760 familje, konkretisht vitin që vjen do të kompensohen 1400 pronarë, nga 2023 numri i përfituesve do të shkojë në 1600 dhe një vit më pas, pra në 2024 synohet që të kompensohen 1760 pronarë.

 

Ndërkohë, përgjatë kësaj periudhe të vetmit pronarë që janë kompensuar janë ata të cilët janë prekur nga ndërtimet pa leje, si edhe pronarët që kanë aplikuar më herët për t’u trajtuar përmes skemës me këste, duke marrë deri në 40% të vlerës së pronës dhe duke hequr dorë nga pjesa e mbetur.

 

Prej disa muajsh ka nisur puna për ndryshimin e skemës së vlerësimit të pronave. Një e tillë vihet në dukje edhe në raportin e APP për 8-mujorin e parë të 2021, ku thuhet se është ngritur një grup i posaçëm pune, por nuk ka të dhëna se kur do të konkretizohen këto ndryshime.

 

Por cilat ishin pikat e reformuara në ligj, të cilat nuk u “mirëpritën” nga Kushtetuesja? Gjykata nuk u pajtua me vendimin e qeverisë në të cilin përcaktohej që brenda 3 muajve të përfundonte rivlerësimi ekonomik për më shumë se 10 mijë dosje që në fazën e parë u prekën nga ndryshimi i zërit kadastral.

 

Këto familje do të përfitonin jo më pak se 10% të vlerës që prona ka aktualisht në treg. Po ashtu, në vendimin e miratuar në fillim të vitit përcaktohej që pronarët me faturë deri në 15 mijë dollarë të kompensohen në masën 100% nga fondi financiar.

 

Nga Agjencia e Trajtimit të Pronave është bërë me dije se janë mbi 10 mijë pronarë që përfitojnë nga kjo skemë që iu jep mundësinë të marrin paratë në dorë, me vetëm një këst. Ndërkohë që fatura totale për ekzekutimin e tyre përllogaritet në vlerën e 18 miliardë lekëve, ose 180 milionë dollarë.

 

Prej miratimit të ligjit të ri dhe deri më tani janë vlerësuar gjithsej mbi 26 mijë vendime, por ajo që bie në sy është se përgjatë gjithë kësaj periudhe, pra nga reforma e ndërmarrë në 2015, numri i aplikimeve ka ardhur në rënie vit pas viti./Burimi: Panorama.al


Më të lexuarat