Secondary Adv

Protestojne sot kunder masave gastronomet e Kosoves

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës dhe Oda e Hotelerisë dhe Turizmit do të protestojnë sot.

 

“Boll ma” është edhe thirrja që ata po bëjnë për institucionet shtetërore për masat dhe kufizimet që iu është bërë këtij sektori. Protesta do të mbahet në ora 13:00 tek objekti i Qeverisë.

 

Masat e anti-COVID-19 të vendosura së fundmi nga Qeveria e Kosovës ka ngritur sërish pakënaqësitë dhe ka rritur revoltën e gastronomëve. Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka njoftuar se sot do të protestohet me moton “Boll Ma”.

 

Në një publikim në Facebook, gastronomet thonë se protesta do të mbahet në orën 13:00, në sheshin “Skënderbeu”. “Jemi duke duruar që 19 muaj duke i mbajtur mbyllë Klubet e Natës e Sallat e Dasmave, pa asnjë mbështetje.

 

Kafiterive e restoranteve vetëm po ju keqësohen punët përditë me rritje enorme të çmimeve, me kujdes ndaj konsumit, dhe ulje të profitit”. Sipas tyre Qeveria e Kosovës po e shkatërron ekonominë dhe rrit  varfërinë.

 

“Qeveria e Kosovës po na kufizon e po na mban mbyllë, pa na dhënë asnjë ndihmë. Na kanë burgosur e as bukë s’po na japin. Po i thërrasim e s’po na përgjigjen. Po i kërkojmë pak mëshirë, e të burgosur po na vrasin përditë.

 

Që tre muaj jemi të shëruar e të vaksinuar, e kjo Qeveri po na mbajnë të izoluar. Po na shkatërrojnë ekonominë, e po na e rrisin varfërinë! BOLL MA! Durimit tonë i ka ardhur fundi!

 

Ju ftojmë t’i bashkoheni zërit të Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës dhe Odës së Hotelerisë e Turizmit të Kosovës, duke qenë pjesë e protestës sonë të madhe, për t’i mbrojtur të drejtat tuaja dhe idealin tonë, për ta shpëtuar shëndetin tonë e mirëqenien tuaj”.

 

Ditë me parë kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi ka treguar se gastronomet asnjëherë nuk u falënderuan përkundër që ata u mobilizuan së tepërmi në fushatën e vaksinimit.

 

“Ishim ne, Shoqata e Gastronomeve, ata që ndihmuam me fushatat tona, në vaksinimin rekord dhe pas gjithë kësaj, si na falënderoni JU?!” Kllokoqi madje çuditet si zyrtarët qeveritarë ulen dhe presin kafe nga gastronomet.

 

“Qeveria e Kosovës dhe institucionet relevante, për asnjë moment të vetëm nuk e përkrahën digasterin e gastronomisë në mbijetesën e tyre, megjithatë, pa fije turpi ulë në kafiteri dhe restaurante dhe presin shërbimet e tyre.

 

Na keni mbyllur, na keni poshtëruar, na keni nëpërkëmbur dhe në fund na keni dënuar, pa mbarim”, ka shkruar tutje i pari i gastronomëve. Ai ka shprehur edhe shqetësimin që në Kosovë për dallim nga e gjithë bota, vaksinimi nuk ka asnjë peshë.

 

Kllokoqi ka paralajmëruar krizë në sektorin e gastronomisë pas këtyre masave, por që sipas tij kjo krizë do të jetë më e rëndë se virusi për Kosovën. Sipas vendimit të fundit të Qeverisë, sa i përket sektorit të gastronomisë masat janë të njëjta siç kanë qenë.

 

Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre. Klientët dhe stafi i gastronomisë duhet të posedojnë certifikatë vaksine në mënyrë që t’u lejohet hyrja në hapësirat e mbyllura të lokaleve, në përputhje me udhëzuesin përkatës.

 

Në lokalet e gastronomisë është e obliguar të caktohet një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e dëshmive për vaksinim dhe test negativ anti-Covid.

 

Shfrytëzimi i hapësirave të mbyllura lejohet deri në 50% e kapacitetit të hapësirës. Në hapësirat e hapura lejohet shfrytëzimi deri në 70% e kapacitetit të hapësirës.

 

Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet. Klientët duhet të qëndrojnë ulur në çdo kohë në kuadër të lokaleve të shërbimeve të gastronomisë në të cilën lejohet shërbimi i ushqimit apo pijeve, përveç:

 

-Gjatë hyrjes apo daljes nga ambienti i lokalit;

-Ndërsa paguan porosinë;

-Gjatë shkuarjes apo kthimit nga tualeti;

 

-Kur është e nevojshme për qëllime të shëndetit dhe sigurisë.

Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 23:00./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/boll-ma-gastronomet-e-kosoves-protestojne-sot-para-qeverise/


Më të lexuarat