Secondary Adv

Kancelari Gjerman premton lehtesi per emigrantet

Në deklaratën e tij të parë qeveritare, kancelari gjerman Olaf Scholz njoftoi shndërrimin më të madh të ekonomisë dhe të prodhimit në 100 vjet.

 

Në të njëjtën kohë, ai foli me besim për kapërcimin e krizës së koronas. “Pas nesh ndodhen 250 vjet, në të cilat prosperiteti ynë u bazua në djegien e qymyrit, naftës dhe gazit. Tani kemi rreth 23 vjet para nesh për të braktisur lëndët djegëse fosile dhe do t’i braktisim ato,” tha kancelari gjatë deklaratës së tij të parë qeveritare në Bundestag.

 

Gjermania duhet të arrijë neutralitetin klimatik deri në vitin 2045. Qeveria është e përkushtuar të respektojë marrëveshjen e Parisit për klimën dhe do të kontribuojë në suksesin e saj.

 

“Prandaj ne kemi përpara transformimin më të madh të industrisë dhe ekonomisë sonë, të paktën të 100 viteve (të fundit)”. Scholz-i shprehu besim, për kalimin e suksesshëm të furnizimit me energji në alternativa më miqësore me klimën.

 

Kundër racizmit dhe seksizmit, për një migrim të udhëhequr nga arsyeja

Scholz u premtoi njerëzve me origjinë të huaj që jetojnë në Gjermani pjesëmarrje më të madhe në shoqëri. “Po flasim për gati një të katërtën e popullsisë sonë këtu”.

 

Republika Federale është një vend imigrimi, por duhet të bëhet një vend edhe më i mirë integrimi, shtoi ai. Problemet e kohës sonë mund të kapërcehen vetëm nëse “nuk e humbim kohezionin social në rrugë e sipër”, theksoi kancelari.

 

Çdo politikë respekti nënkupton kundërshtimin sistematik të racizmit, seksizmit dhe çdo diskriminimi tjetër. Për Scholz-in, lehtësimi për të marrë shtetësinë gjermane është gjithashtu pjesë e kësaj politike.

 

Shtetësia e shumëfishtë duhet të jetë e mundur, si dhe marrja e shtetësisë pas pesë vjetësh. “Ne do të ndjekim një politikë migrimi të udhëhequr nga arsyeja, e cila inkurajon migrimin legal dhe redukton migrimin e parregullt.”

 

Kjo nënkupton procedura të shpejta të azilit dhe perspektiva të mira për njerëzit që janë të integruar mirë këtu, por edhe kthime të konsiderueshme në vendet e origjinës, veçanërisht për kriminelët dhe njerëzit e rrezikshëm, shpjegoi socialdemokrati./Burimi: abcnews.al


Më të lexuarat