Kuvajti jep 78 milione dollare per rrugen tek Lumi i Vlores
Qindra banorë të fshatrave të zonës së Lumit të Vlorës, duket se shpejt do të mund të lidhen me qytetin. Kjo pasi shteti i Kuvajtit, ka dhënë plot 78 milionë dollarë për bërjen e rrugës që lidh këto fshatra të izoluara prej shekujsh nga zona urbane.
Deputeti i zonës, Fatmir Toçi, njofton se tashmë është shpallur dhe firma fituese për zbatimin e projektit. "Më në fund, ajo që po pritet me padurim prej dekadash në qarkun e Vlorës, që është premtuar nga të gjithë dhe nuk është bërë asgjë, rikonstruksioni i rrugës së Lumit të Vlorës, filloi të lëvizë drejt realizimit të projektit që është bërë i njohur kohë më parë dhe do të ndryshojë rrënjësisht jetën e banorëve, do t’i japë hop të paparë zhvillimit të zonës, ekonomisë dhe turizmit dhe do të lidhë për herë të parë e me dinjitet Vlorën, Selenicën dhe Bregun e Jugut me rrugë të standardeve bashkëkohore përgjatë rrjedhës së Shushicës”,-shprehet Toçi.
Sipas marrëveshjes më qeverinë e Kuvajtit dje ka ardhur në Tiranë delegacioni i Fondit Kuvajtian të Zhvillimit Arab të Ekonomisë, për përfundimin e marrëveshjes së financimit për rikonstruksionin e rrugës së Lumit të Vlorës me vlerë 78 milionë dollarë, si dhe 6 projekte te tjera që kanë të bëjnë me infrastrukturën në Alpet e Shqipërisë.Ndërkohë është shpallur para pak kohe edhe firma fituese e projektit të kësaj rruge, “Gjeo Consulting”, me vlerë 1.4 milionë euro, e cila financohet nga buxheti i shtetit.
“Sot një takim miqësor dhe frutdhënës më përfaqësuesit kuvajtianë, me praninë edhe të drejtorit të FSHZH, z. Benet Beci dhe stafit të tij, ku u trajtuan çështje e probleme në lidhje me fizibilitetin dhe rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij projekti, termat e kontratës, afatet e financimit, ratifikimin në Kuvendin e Shqipërisë të kredisë, si dhe efektivitetin sa më të madh të këtyre fondeve, duke përfshirë në projekt edhe të gjitha degëzimet e rrugëve dytësore të fshatrave që lidhen me aksin kryesor të rrugës së Lumit, kur distancat e tyre shkojnë nga 5 – 10 km.”-shprehet deputeti Fatmir Toçi. Në fillim të javës së ardhshme delegacioni kuvajtian do të vizitojë Vlorën dhe do të përshkojë rrugën ekzistuese të Lumit të Vlorës, si dhe për t’u takuar edhe me deputetë, drejtues vendorë e rajonalë të zonave ku kalon ky aks rrugor.