Inagurohen dy shkollat e reja Vace Zela dhe Kristo Frasheri ne Tirane
Kryetari i bashkisë së Tiranës inauguroi dy institucionet e reja arsimore në kryeqytet, shkollën e mesme Kristo Frashëri dhe shkollën 9-vjeçare Vaçe Zela në Don Bosko.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, së bashku me zëvendëskryeministrin, inauguruan dy institucionet e reja arsimore në kryeqytet, shkollën e mesme “Kristo Frashëri” dhe shkollën 9-vjeçare “Vaçe Zela” në Don Bosko, të cilat do t’i japin fund mësimit me dy turne për nxënësit në atë zonë.
Teksa u uroi suksese të gjithë nxënësve që sot filluan shkollën, Veliaj tha: “Është një nga vitet që do të hyjnë në historinë e Tiranës, pasi më parë nuk janë hapur kurrë 10 shkolla në një sezon shkollor.”
Ndërsa shkollën e re “Vaçe Zela”, ai e cilësoi si më modernen në Ballkan. Veliaj ftoi edhe prindërit që të kontribuojnë dhe të kujdesen që shkollat e reja të ruhen dhe të mbahen pastër, duke mos u dëmtuar.
“Kjo është një hapësirë ku duam të ndryshojmë mentalitet dhe duhet të jemi ortakë me qytetarët, të jemi aksionerë të përbashkët me fëmijët me këtë investim.
Nuk jemi këtu vetëm për t’i mbajtur 6-7 orë nxënësit, por duam që dhe në orët e tjera të mbetura ne të rrethohemi me kulturë. Një makinë mund të lahet dhe brenda në parkim, nuk ka nevojë të zaptohet i gjithë trotuari para shkollës.
Kjo ndërtesë është vetëm fillimi i një pune që do të vazhdojë me vite e vite tek brezi i shqiptarëve që do të rriten si “Vaçe Zela” dhe “Kristo Frashëri”, të kenë një mundësi që të themi ua plotësuam kushtet që të bëheshin të mëdhenj që kur ishin të vegjël”, sqaroi Veliaj./Burimi: ATSH