Puset e ujit, cdo projekt do te miratohet nga Sherbimi Gjeologjik
Në bazë të projektligjit të prezantuar dje në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese nga zëvendësministri i Energjisë, Ilir Bejtja, shërbimit i forcohet statusi në kompetenca kontrolli dhe oponencë.
Personat fizikë dhe juridikë, privatë ose shtetërorë, që kryejnë shpime me thellësi mbi 15 m nga sipërfaqja e tokës, janë të detyruar të marrin miratimin për projektin nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar.Agjencia e Ujit dhe Basenit dorëzon në Arkivin Qendror Teknik të Gjeologjisë një kopje të projektit pas miratimit të lejes së shpimit dhe një kopje të relacionit për rezultatet e punimeve të kryera, pas miratimit të lejes së shfrytëzimit nga Këshilli i Basenit Ujëmbledhës.
Zëvendësministri i Energjisë tha se kjo nismë e re ligjore merr në konsideratë të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur në sektor ndër vite, qofshin këto në nivel burokratik, ashtu edhe në industritë, të cilat kanë lidhje direkte ose indirekte me gjeologjinë.Duke folur për anëtarësimin e shërbimit në institucionet ndërkombëtare, Bejtja tha se “prania e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, si anëtar me të drejta të plota në disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare, dikton nevojën e reformimit ligjor, duke e shtrirë gamën e studimeve të tij në tokë, det, liqene dhe lumenj”.