Secondary Adv

91 per qind me te vjetra se 10 vjet, qarku me me shume makina

Banorët e qarkut të Durrësit kanë numrin më të lartë të automjeteve në raport me popullsinë, për vitin 2020, sipas të dhënave të INSTAT.

 

Në përgjithësi, makinat që qarkullojnë në vend janë të vjetra, ose shumë të vjetra. Sipas INSTAT, 26% e autoveturave që qarkullojë në vend janë të prodhuara përpara vitit 2000, ose më shumë se 20 vjet të vjetra. Pjesa më e madhe, apo 65% janë prodhim midis 2000-2010, apo më shumë se 10 vjet të vjetra.

 

Vetëm 9% e autoveturave janë më pak se 10 vjeçare. Sipas INSTAT, në 2020, numri gjithsej i mjeteve rrugore me status “aktiv” dhe “të çregjistruar përkohësisht” rezulton 676.811 mjete, nga 628.937 mjete të regjistruara deri në 2019, duke u rritur me 7,6%.

 

Nga mjetet rrugore sipas llojit, përqindjen më të madhe ndaj numrit gjithsej të mjeteve rrugore e zënë “Autoveturat” (79,7%), “Automjetet për transport të përzier” (6,9%) dhe “Motor” (5,0 %),

 

Numri i autoveturave deri në 2020, është rritur me 7,9% në krahasim me 2019, ndjekur nga Automjetet për transport të përzier rritur me 4,8% në krahasim me 2019. Numri më i lartë i mjeteve rrugore është regjistruar në Qarkun e Tiranës për 2020, duke zënë 36,8% ndaj mjeteve rrugore gjithsej të regjistruara në vend.

 

Qarku me numrin më të vogël të mjeteve rrugore është Kukësi me 2,1% ndaj mjeteve rrugore gjithsej. Autoveturat me kambio “Manuale” zënë pjesën më të madhe (64,9%) të autoveturave gjithsej që rezultojnë me status “aktiv” ose “të çrregjistruara përkohësisht” deri në vitin 2020.

 

Numri i autoveturave të regjistruara deri në dhjetor 2020 me vit prodhimi para vitit 2000 ka pësuar rënie me 1,4% ndërsa grupi i autoveturave me vit prodhimi 2011-2020 ka pësuar rritje me 27,3%.

 

Në Durrës ka të regjistruara gjithsej rreth 72.1 mijë autovetura, ose 247 automjete për 1000 banorë. Vendin e dytë e zë Tirana me 218 automjete për 1000 banorë, e ndjekur nga Gjirokastra (210), Vlora (194), Shkodra (192). Qarqet që kanë më pak autovetura në raport me popullsinë janë Korça (128) dhe Dibra me 124.

 

Në vlerë absolute, numri më i lartë i mjeteve rrugore është regjistruar në qarkun e Tiranës për 2020, duke zënë 36,8% ndaj mjeteve rrugore gjithsej të regjistruara në vend. INSTAT raporton numrin gjithsej të mjeteve rrugore me status “aktiv” dhe “të çregjistruar përkohësisht”.

 

Të dhënat e tjera të DPSHTRR tregojnë se vitin e kaluar Shqipëria kishte rreth 540 mijë mjete që qarkullonin rregullisht, shifër e mbështetur kjo në pagesën e taksës vjetore të qarkullimit. Kjo do të përkthehej në një numër prej rreth 192 automjetesh për 1000 banorë.

 

Me këtë shifër, Shqipëria është larg vendeve më pak të motorizuara të BE dhe e parafundit në Europë, duke ia kaluar vetëm Turqia (150 mjete për 1000 banorë). Maqedonia e Veriut kishte 205 mjete për 1000 banorë. Të dhënat për Kosovën janë për 2017, dhe ky tregues për atë vit ishte më pak sesa 100.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/durresi-ka-numrin-me-te-larte-te-autoveturave-ne-raport-me-popullsine/


Më të lexuarat