BSH bleu 14.2 mln euro ne dhjetor, por asnje ndikim ne kurs
Banka e Shqipërisë realizoi blerje të valutës në tregun e brendshëm për shumën totale prej 14.2 milionë eurosh gjatë muajit dhjetor.
Sipas burimeve nga tregu, gjatë dhjetorit u realizuan të dyja ankandet e parashikuara në kalendarin vjetor të blerjes së valutës nga Banka Qendrore. Në ankandin e datës 20 dhjetor u blenë gjithsej 7.7 milionë euro, ndërsa ofertat e paraqitura nga pjesëmarrësit në ankand kishin shumën totale të 11.5 milionë eurove.
Shuma e parashikuar për t’u blerë në raundin e parë të ankandit ishte mes 4 dhe 6 milionë eurove dhe BSH vendosi të blejë nivelin maksimal prej 6 milionë eurosh. Blerjet në raundin e parë u realizuan me një kurs që ishte mes 120.74 dhe 120.84 lekëve.
Kursi mesatar i ponderuar rezultoi 120.82 lekë. Në këtë ankand, Banka e Shqipërisë ushtroi edhe opsionin e blerjes në raundin e dytë, për një shumë shtesë prej 1.7 milionë eurosh, me kursin mesatar prej 120.82 lekësh.
Më herët, më datë 3 dhjetor, BSH pati blerë edhe 6.5 milionë euro të tjera, ndërsa oferta totale kishte qenë 11.3 milionë euro. 6 milionë euro u blenë në raundin e parë, me një kurs në intervalin mes 121.13 dhe 121.24 lekë.
Në raundin e dytë u blenë edhe 500 mijë euro, me kursin mesatar të ponderuar të raundit të parë, prej 121.21 lekësh. Kërkesa e shtuar e BSH, siç ndodh në shumicën e rasteve, nuk e ka ndikuar shumë kursin e këmbimit mes lekut dhe euros.
Pavarësisht kërkesës që erdhi nga ankandet, euro ka ndjekur një tendencë nënçmuese këtë muaj, duke qëndruar pranë niveleve më të ulëta të 14 viteve të fundit në kursin me lekun. Ditën e martë, euro këmbehej me 120.74 lekë.
Blerjet e valutës nga BSH nuk kanë për qëllim të ndikojnë kursin e këmbimit, por bëhen në funksion të menaxhimit të rezervës valutore. Një risi e rëndësishme e ankandeve të dhjetorit ishte përdorimi i marrëveshjeve forward (për blerje në të ardhmen) në vend të blerjes me marrëveshjet klasike spot (me blerje në datën e ankandit).
Në rregulloren e re për ndërhyrjet në tregun valutor, miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, një risi e rëndësishme ishte pikërisht parashikimi edhe i ankandeve të formës forward. Ky shihet si një hap që mund t’i nxisë bankat tregtare të ndërmarrin hapa në drejtim të zhvillimit të tregut të parasë.
Mbështetur në vendimin e Komitetit të Zbatimit dhe Këshillimit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë gjatë këtij viti ishin parashikuar blerje në tregun valutor të një shume mes 60 dhe 120 milionë eurove.
Mbështetur në të dhënat e mbledhura nga “Monitor” në treg, vlerësohet se blerjet e valutës këtë vit kanë qenë pranë nivelit të 105 milionë eurove, afërsisht në mesin e intervalit të planifikuar. Rezerva valutore e BSH shënoi nivelin më të lartë historik në muajin tetor.
Sipas statistikave, ajo kishte vlerën e 4.2 miliardë eurove, në rritje me afërsisht 2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithëse ka shënuar nivelin të lartë të arritur ndonjëherë, rezerva valutore e vendit pritet të rritet ndjeshëm, pas tërheqjes së fondeve nga Eurobondi i emetuar në muajin nëntor.
Qëllimi kryesor i mbajtjes së rezervës valutore është mbulimi i nevojave emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj, por edhe shmangia e çrregullimeve të tregut të brendshëm valutor, si edhe përmbushja e objektivave të politikës monetare ose të stabilitetit financiar.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/banka-e-shqiperise-bleu-14-2-milione-euro-ne-muajin-dhjetor-aplikoi-per-here-te-pare-marreveshjet-forward/