
Rinis regjistrimi nga e para i pronave, ja kush rrezikon ta humbase
Pas ndarjes së re administrative, në vend do të nisë dhe regjistrimi i pronave që do të kenë njësitë e reja. Një regjistrim i tillë do të kalojë në sitë të gjithë pronat në vend, për të parë se cilat prej dosjeve kanë pronar dhe cilat prej tyre mbesin të shtetit.
Në këtë mënyrë, të gjitha kartelat që janë në ZRPP dhe që janë të shënuar me pronar shtet, do të kalojnë në pronësinë e bashkisë brenda kufirit në të cilën gjenden. Po ashtu dhe në rastet kur kartela e pronës nuk gjendet dhe kur është fshirë emri i ish pronarit të vjetër, prona do t’i kalojë shtetit. Kjo duke bërë krahasimin dhe me të dhënat që ka AKKP, për të parë nëse për sipërfaqen ka persona të interesuar apo jo.
Regjistrimi
Për të regjistruar pronat, 61 kryetarët e bashkive kanë marrë një udhëzues të veçantë për mënyrën se si do të veprojnë. Udhëzuesi i Ministrisë së Çështjeve Vendore parashikon krijimin e një databese të re, ku do të hidhen të gjitha të dhënat për pronat, duke filluar nga vendi, m2, kufizimi me prona dhe tokat e tjera, si dhe statusi përkatës. Por gjatë kalimit të shumë dosjeve, nga punonjësit e 61 bashkive është vënë re se për një pjesë të pronave mungon dokumentacioni i plotë. Kryesisht janë dokumenta, që lidhen me sipërfaqen e pronës, vërtetime që tregojnë se ku është marrë pronësia dhe ka mungesë edhe të dokumentave që vërtetojnë pronësinë.
Kush rrezikon
Nga ky proces do të rrezikojnë pronarët të cilët nuk janë interesuar për dosjen e tyre, si dhe ata që pasi nuk kanë arritur të gjejnë dokumentacionin nuk kanë bërë hapat e nevojshëm për njohjen e sipërfaqes. Kjo qoftë me një kërkesë në gjykatë, apo duke nisur dhe procesin në AKKP. Në këtë rast bashkitë e reja do të regjistrojnë dosjen si pronë shtet, kur në hipotekë nuk gjenden të dhënat mbi pronarët që i kanë pasur para vitit 1945. Megjithatë procesi mund të rihapet nëse subjekti do të kërkojë njohjen nëpërmjet një procesi gjyqësor.
Arkivat
Arkivat e pronave që kanë qenë në komunat dhe bashkitë të cilat janë shkrirë do të hidhen në një sistem online, i cili do krijohet nga stukturat e bashkive të reja. “Qëllimi është mbledhja e të dhënave mbi praktikat e arkivimit për të kontrolluar pajtueshmërinë me kërkesat ligjore. Bazuar në këtë, një analizë e praktikave arkivimit do të bëhet dhe do të mund të jepen rekomandime për veprimet përgatitore që do të merren për të lehtësuar transferimin e arkivave në kuadër të amalgamimit të njësisë së qeverisjes vendore ekzistuese në bashkinë e re”, - thuhet në udhëzues.
Çfarë parashikon udhëzuesi
Arkivat aktuale e Njësive të Qeverisjes Vendore ekzistuese do të bashkohen dhe dokumentacioni ekzistues në përdorim nga strukturat përkatëse organizative të këtyre NJQV-ve, do të transferohet në administratën e bashkive të mëdha. Në kuadër të kësaj ngjarje, e vlerësojme të arsyeshme që veprime të caktuara duhet të kryhen formalisht për të siguruar transferim pa probleme të këtij dokumentacioni. Neni 51 i Ligjit Nr. 9154, datë 6.11.2003 “Për arkivat” parashikon që “në rast ndryshimesh territoriale administrative, ristrukturimit të veprimtarive në njësitë shtetërore, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ose arkiva shtetërore njoftohen në mënyrë që të vendosin për administrimin e mëtejshëm të dokumenteve.” Ne nënvizojmë që ky nen nuk shprehet në lidhje me faktin se cilat autoritete ose organe janë përgjegjëse për njoftimin e institucioneve të përmendura. Dokumentacioni tashmë në përdorim nga strukturat organizative të NJQV-ve ekzistuese mund të konsiderohet gjithashtu dokumentacion i arkivuar në momentin e krijimit të bashkisë së re.
Më tej, në rast se vendoset për transferimin fizik të dokumentave të arkivuar si edhe të dokumentacionit tashmë në përdorim nga strukturat organizative të NJQV-ve ekzistuese,në ambientet e bashkisë së re, duhet të merren parasysh : Hapësira fizike e disponueshme për arkivën në ambientet e bashkisë së re duhet të merret në konsideratë kur të vendosen procedurat e transferimit të arkivës.
Rastet e kufijve në komuna dhe bashki të ndryshme
Ndarja e re administrative do të sjellë në pah dhe një tjetër problematikë. Në disa prej bashkive dhe komunave të vjetra ka pasur konflike mbi përkatësinë e sipërfaqes. Kjo pasi toka gjendej në kufirin mes të dy njësive. Në këtë mënyrë, një komunë ia kishte ndarë tokën banorëve të zonës së saj, ndërsa të njëjtën sipërfaqe njësia tjetër ia kishte kaluar pronën individëve të tjerë.
Problematikë kjo që ka sjellë dhe përplasje në hipoteka. Por tashmë me bashkitë e reja sipërfaqa e tokës do të jetë pjesë e një njësie të vetme. Gjë që do të kërkojë rregullimin e kësaj ccështje të pronësisë. Por fillimisht do të duhet që bashkia e re të evidentojë se cilat janë pronat e lira dhe më pas të vendosë dhe se cilit subjekt do tia kalojë sipërfaqen në pronësi. Pala që do të mbetet pa pronë do të duhet të marrë një tjetër sipërfaqe, por që këtë herë do të jetë subjekt i shqyrtimit nga bashkia e re./Shqiptarja.com
Më të lexuarat









