Komisioni Evropian më 21 dhjetor njoftoi se njeh certifikatat për vaksinimin kundër koronavirusit që lëshohen nga autoritetet në Mal të Zi.
Komisioni konfirmoi se certifikatat për COVID-19 që lëshohen nga Mali i Zi janë “të barasvlefshme me certifikatat digjitale të COVID-19 që lëshohen nga Bashkimi Evropian”, tha ky institucion i BE-së përmes një deklarate.
Përveç Malit të Zi, BE ka vendosur që të njohë edhe certifikatat e Tajvanit, Tajlandës, Tunizisë dhe Uruguait. Sipas njoftimit, ky vendim i KE do të hyjë në fuqi më 22 dhjetor.
“Ky vendim del pas vlerësimit teknik të kryer nga shërbimet e BE për certifikatat që lëshohen nga këto 5 shtete dhe territore, dokumente të cilat do të inkorporohen në sistemin e BE.
Blloku evropian do trajtojë certifikatat e këtyre shteteve siç bën me certifikatat për COVID-19 të BE”, tha KE. Ky vendim nënkupton se çdo person që posedon certifikatë të lëshuar nga Malin i Zi mund ta përdorë atë me të njëjtat kushte sikurse një person që posedon certifikatën digjitale të BE për COVID-19.
Nga shtetet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria tashmë kanë marrë konfirmimin për njohjen e certifikatave të tyre. Kosova dhe Bosnje e Hercegovina janë shtetet e vetme në rajon, certifikatat e të cilave ende nuk njihen nga BE.
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka thënë se mosnjohja e certifikatave të vaksinimit kundër Covid nga blloku evropian është më shumë problem i natyrës teknike. “Jemi në fazën kur duhet të bëhet i lexueshëm kodi QR offline [pa qenë të lidhur në internet].
Aktualisht është i lexueshëm vetëm online. Çështja ka të bëjë me aspektin teknik”, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë Dafina Gexha, zëvendësministre e Shëndetësisë.
I ashtuquajturi kod QR, kur skanohet, ofron informacione për llojin e vaksinës së marrë, numrin e dozave dhe vendin e vaksinimit. BE po ashtu pritet që nga 10 janari i 2022 të mos lejojë udhëtimet për qytetarët që nuk kanë marrë tri doza të vaksinës kundër koronavirusit./Burimi: REL