Secondary Adv

Guvernatori i BSH paralajmeron rritje te Inlacionit

Ekonomia shqiptare do të ketë rritje të inflacionit edhe gjatë gjysmës së parë të 2022, duke reflektuar rritjen e çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare.

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha sot pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës se efekti i rritjes së çmimeve do të fillojë të zbehet në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm. Ai përsëriti projeksionin se kthimi i qëndrueshëm i inflacionit pranë objektivit 3% pritet të ndodhë në fund të vitit 2022.

 

Këshilli Mbikëqyrës i BSH vendosi sot të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 0.5% dhe të mbajë të pandryshuara normat e depozitave dhe kredive ditore, përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 0.9%.

 

Sejko paralajmëroi se kthimi i inflacionit në objektiv do të kërkojë normalizim gradual të politikës monetare gjatë tremujorëve në vijim. BSH vlerëson se PBB u rrit me 11.7% në 6-mujorin e parë të 2021, ndërsa sipas të dhënave të tërthorta rritja pozitive ka vijuar edhe në gjysmën e dytë të vitit.

 

Por, Banka e Shqipërisë parashikon se se normat e rritjes do të jenë më të ulëta, për shkak të përfarimit të bazës krahasuese me vitin e kaluar. “Projeksionet tona për të ardhmen mbeten pozitive.

 

Në afatin e mesëm, rritja e ekonomisë pritet të mbështetet nga kushtet e favorshme të financimit, përmirësimi i besimit dhe i bilanceve të sektorit privat, dhe nga normalizimi gradual i aktivitetit ekonomik në vendet partnere.

 

Këta faktorë pritet të nxitin rritjen e konsumit, të investimeve dhe të eksporteve. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të shoqërohet me rritjen më dinamike të punësimit, pagave dhe të kostove të tjera të prodhimit, duke forcuar presionet e brendshme inflacioniste.

 

Nga ana tjetër, goditjet e huaja të ofertës do të diktojnë vlera të inflacionit mbi objektiv në afatin e shkurtër, por efekti i tyre pritet të jetë gjithsesi kalimtar. Balanca e rreziqeve rreth inflacionit shfaqet e zhvendosur për lart në afatin e shkurtër dhe e balancuar në afatin e mesëm.

 

Nga njëra anë, një rritje më e shpejtë apo më e gjatë në kohë e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, si dhe një ritëm më i ngadaltë i konsolidimit fiskal, përbëjnë rreziqe të kahut të sipërm mbi inflacionin.

 

Nga ana tjetër, një rimëkëmbje më e ngadaltë e ekonomisë botërore dhe shqiptare, si pasojë e zgjatjes në kohë të pandemisë apo e shtrëngimit të shpejtë të kushteve monetare në tregjet ndërkombëtare, përbën rrezik të kahut të poshtëm mbi inflacionin,” tha Sejko.

 

Tremujori i tretë solli një përmirësim më të dukshëm të treguesve të punësimit në ekonomi. Guvernatori tha se përmirësimi i treguesve të tregut të punës dhe rritja e kërkesës për punë e raportuar nga bizneset sugjerojnë se presionet për rritjen e pagave do të vijojnë të forcohen në të ardhmen.

 

Sejko theksoi edhe njëherë se kredia bankare po regjistron norma të larta rritjeje, duke mbështetur gjithmonë e më shumë rritjen e konsumit dhe të investimeve. Vëllimi i kredisë për sektorin privat regjistroi një rritje vjetore me 11% në muajin nëntor.

 

Rritja e kredisë është shtrirë si tek bizneset dhe individët, si për qëllime investimi ashtu edhe për mbulimin e nevojave afatshkurtra, si në lekë edhe në valutë.

 

Sipas Guvernatorit, rritja e kërkesës për kredi, e raportuar tek vrojtimi i aktivitetit kreditues, lehtësimi i kushteve të kreditimit, dhe shëndeti i mirë i industrisë bankare sugjeron për një ecuri të mirë të kredisë në vazhdim.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/sejko-inflacioni-pritet-te-rritet-deri-ne-mesin-e-vitit-te-ardhshem/


Më të lexuarat