Zbardhet skandali me pagat, ja nga ku dolen te dhenat
Pagat e mbi 637 mijë punonjësve, në sektorin publik dhe atë privat, kanë rrjedhur në rrjetet sociale duke bërë që çdokush të ketë akses në të dhënat personale të tyre.
Në lidhje me këtë skandal prokuroria tashmë po zhvillon hetimet. Burime për Report Tv kanë bërë me dije detaje në lidhje me atë që mund të ketë ndodhur dhe cilët janë përgjegjësit e rrjedhjes më të madhe të informacionit.
Report Tv ka mësuar se është 100% e sigurt se dokumenti ka dalë nga Drejtoria e Tatimeve dhe se punonjësja nga e cila është krijuar dokumentin është Mimoza Seraj. Nga analiza e dokumentit të shpërndarë në transfer del një user me emrin Moza Seraj.
Seraj rezulton të ketë qenë drejtoreshë sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Përmes 'userit' të saj është krijuar ky file, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se është ajo personi që e ka publikuar listën.
Report Tv ka zbuluar se Mimoza Seraj ka dalë në pension në vitin 2019. Sigurisht që ajo do të duhet të japë llogari se çfarë ka ndodhur. Vlen të theksohet se lista është vjedhur në mënyrë manuale dhe nuk kemi të bëjmë me një cyber attack.
Marrja e të dhënave në mënyrë masive nuk mund të bëhet nga askush tjetër, përveçse nga inspektorë të takimeve apo firmat private që kanë krijuar sistemin, të cilat janë të vetmet që mund të kenë akses të drejtpërdrejtë. Për të gjithë këta tashmë kanë nisur hetimet.
File është krijuar më 26 shkurt 2021, ndërsa modifikimi i fundit më 6 prill 2021. Sipas sistemit të krijuar për mbrojtje të të dhënave, i aplikuar te Tatimet që prej kohës së qeverisë Berisha, asnjë prej inspektorëve të tatimeve nuk mund të shkarkojë më shumë se 1000 të dhëna në një veprim të vetëm.
Pra për ta krijuar atë file janë dashur rreth 640 veprime dhe kjo mund të jetë edhe një shpjegim se pse krijimi i dokumentit ka dashur më shumë se 2 muaj e gjysmë. Tjetër informacion i rëndësishëm është fakti se aty mungojnë më shumë se 30.000 mijë taksapagues.
Pra nuk janë të gjithë punonjësit. Ndërkohë që për një numër shumë të madh punonjësish pagat nuk janë të përditësuara. Report Tv ka mësuar gjithashtu se dokumenti nuk është origjinal por i përditësuar dhe i ndryshuar në exel./Burimi: SHqiptarja.com