Reforma e re e qeverise, ne lupe bizneset qe nuk deklarojne pagat
Lufta kundër informalitetit dhe evazionit fiskal do të jetë në qendër të reformave ekonomike të vendit për periudhën 2022-2024.
Drafti i publikuar nga qeveria i lë si detyrë Ministrisë së Financave dhe institucioneve të tjera përgjegjëse që të hartojnë dhe konsultojnë një strategji gjitheperfshirese për të trajtuar dhe mbikqyrur të gjitha aspektet e informalitetit, me një plan veprimi konkret, duke përfshirë objektiva të qarta dhe të matshme.
Referuar draftit, gjatë periudhës 2022-2024, përpjekjet e Administratës Shqiptare të Taksave për të luftuar informalitetin do të përqendrohen në identifikimin e tatimpaguesve që nuk përmbushin detyrimet tatimore.
Konkretisht tatimpaguesit me rritje të të ardhurave, por ulje të detyrimit TVSH; tatimpaguesit që nuk deklarojne shpenzimet për faturat e energjisë elektrike; tatimpaguesit me paga të nëndeklaruara për punonjësit e tyre–të identifikuara duke krahasuar të dhënat disavjeçare).
Po ashtu në fokus do jetë trajtimi i evazionit fiskal, mashtrimit fiskal dhe informalitetit, duke përdorur në kohë reale mbikqyrjen e transaksioneve financiare midis tatimpaguesve, sipas sistemit të fiskalizimit (sistemi i monitorimit dhe mbikqyrjes së veprimtarive tregtare të tatimpaguesve nga autoritetet tatimore shqiptare).
Detektimi i të ardhurave globale të padeklaruara nga tatimpaguesit dhe individët, nëpërmjet shkëmbimit të parë automatik të informacionit mbi llogaritë financiare në 2021 e në vijim do të jetë një tjetër aspekt i fokusit kundër informalitetit.
Po ashtu, Ndërtimi i Regjistrit të Aseteve të Tatimpaguesve (te tundshme & patundshme), me qëllim vlerësimin real të pasurive të tatimpaguesve, duke ndërtuar një sistem për verifikimin dhe ndjekjen e të ardhurave të tatimpaguesve, kontrollin e plotë të pagesave të bëra mbi taksat e pasurisë.
Në draft parashikohet, hartimi dhe zbatimi i një program përmbushjeje për individët më të pasur. Fuqizimi i sistemit dhe përdorimi i të dhënave në procesin e vendim-marrjes në lidhje me individët e pasur. Përdorimi i qasjes së integruar për zbatimin e strategjise se permbushjes se individëve të pasur./Burimi: SCAN