Secondary Adv

Kontroll automjeteve, 10 rregullat e reja per drejtuesit

Lufta kundër informalitetit do të sjellë kontrolle dhe masa disiplinore më të forta edhe në fushën e transporteve. Plani i masave i miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë, është publikuar dje nga Ministria e Transporteve, ndërkohë që në krahasim me aksionin e ndërmarrë ndaj bizneseve, ai ka një kalendar specifik, i cili është bërë aktiv nga data 1 tetor.


Duke bërë të ditur shifrat shqetësuese të evazionit në transportin publik dhe privat, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto ka shpallur paketën me 10 masat dhe kontrollet që do të ndërmerren.


Pronarët e mjeteve
Bazuar në rregullat e reja të vendosura nga Ministria e Transportit, një individ nuk mund të importojë më shumë se 1 ose 2 automjete për përdorim personal në një vit. Ndryshe mund të ndodhë nëse ai i importon për aktivitete ekonomike dhe në këtë rast duhet të paguhen të gjitha detyrimet ekonomike dhe fiskale ndaj shtetit. Kjo është një tjetër nismë e ndërmarrë për shkak të informalitetit në qarkullimin dhe tregun e mjeteve.


Sa i përket çregjistrimit të mjeteve sipas tarifimit dhe rregullave të reja, Haxhinasto tha se për të nuk është parashikuar tarifë e posaçme, por mbetet ajo ekzistuese, duke vënë theksin te fakti që ka një numër të konsiderueshëm automjetesh, nuk figurojnë të regjistruara. “Janë rreth 25 për qind e mjeteve që figurojnë në bazën e sistemit tonë të të dhënave, që nuk paguajnë, nuk regjistrohen në mënyrë periodike. Kjo do të thotë se, ose janë jashtë shërbimit, ose janë hedhur në varrezat e automjeteve, ose mund të kenë shkuar përsëri jashtë shtetit. Prandaj për të stabilizuar këtë situatë, ne do të vendosim rregulla më strikte”, tha ai.


Kontrata
Rreth 80 për qind e mjeteve janë jashtë çdo lloj kategorizimi dhe standardi, prandaj është përcaktuar edhe plani i rinovimit të flotës së autobusëvë që shërbejnë për transportin ndërqytetas. "Plani është parashikuar të fillojë të zbatohet mbas 1 viti, dhe brenda vitit të parë, të gjithë shoqëritë që do të angazhohen në transportin ndërqytetës do të duhet të rinovojnë reth 20 për qind të flotës së tyre.


Këto nuk janë shifra që i kemi llogaritur nga tryezat e ministrisë, por i kemi llogaritur duke parë gjithë mundësitë që ka gjithë sektori i transportit për të rinovuar flotën dhe këto mundësi ekziztojnë. Dhe më pas vitin dytë të tretë, e kështu me radhë, brenda 6 viteve do të planifikohet të jetë ndërruar gjithë flota e autobusëve që është jashtë standardit. Për ta bërë këtë, janë dhe shumë elemente të tjerë shumë të rëndësishëm që duhen realizuar, ku ata që bëjnë transport ndërqytetës të jenë brënda kësaj fushe, ata që bëjnë transport taksi të jenë brenda këtij kuadri", tha Haxhinasto.

Plani i masave mbi antiinformalitetin
1. Mjete transporti publik taksi dhe autobuzë që kryejnë aktivitet të paliçensuar. Do kryhen kontrolle me grupe të përbashkëta të Policisë Rrugore dhe të shërbimeve të trasnportit rrugor. Në rast evidentimi shkeljesh do ndëshkohen me gjoba maksimale 100 000 lekë apo dhe konfiskim mjeti.
2. Do kontrollen taksitë e pajisura me taksimetër mbi përdorimin e rregullt të tij. Në rast parregullsish do vendosen gjoba 20 000 lekë nga organet e Policisë Rrugore apo të shërbimit të trasnportit rrugor dhe tërheqje e licencës.
3. Do rishihen kushtet e liçensimit të taksive dhe kushtet e komoditetit të tyre.
4. Do të kontrollohen autobuzët e shërbimit interurban për pajisjen me bileta të pasagjerëve. Shoqëritë e transportit të marrin masa për pajisjen me blloqe të biletave nga drejtoritë tatimore. Në rast shkeljesh gjobë deri në 100 000 lekë dhe pezullim licence.
5. Formalizim i tregut, mjeteve të përdorura të rregjistruara për herë të parë. Kufizime për importin e mjeteve nga individë.
6. Verifikim nga noterët i detyrimeve të mjeteve që ndërrojnë pronësinë.
7. Kontrolle të pikave të grumbullimit të mjeteve.
8. Kontrolle të subjekteve që kryejnë transport mineralesh apo karburanti mbi peshë.
9. Certifikim i serviseve të mjeteve rrugore.
10. Tarifë reklamash në anë të rrugës dhe kontrolle ndaj dëmtimeve të infrastrukurës rrugore dhe ndërhyrjeve pa leje.


Më të lexuarat