AMA thirrje mediave: Kujdes, mos transmetoni te dhenat personale
Pas publikimit të të dhënave personale të qytetarëve si numrat e ID dhe pagat, AMA u bën thirrje mediave të respektojnë ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.
Në një shkresë drejtuar mediave, AMA ka kërkuar marrjen e masave për ndalimin e transmetimit dhe përpunimit të paligjshëm të të dhënave personale.
Sipas AMA ‘referuar parimeve themelore të veprimtarisë së mediave audiovizive, të parashikuara në dispozitat e ligjit nr. 97/2013 ‘Për mediat audiovizive, në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar, operatorët e shërbimit audioviziv gjatë veprimtarisë së tyre duhet të respektojnë dhe të garantojnë të drejtën e ruajtjes së jetës private.
Në mënyrë më të detajuar, parimet, rregullat, kërkesat dhe praktikat në transmetimet audiovizive përcaktohen në Kodin e Transmetimit.
‘Kërkojmë nga ana juaj respektimin e kërkesave të ligjit tonë organik dhe legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale si një e drejtë kushtetuese.’- njofton AMA./Burimi: Shqiptarja.com