Vendimi i Qeverise, shtyhet rivleresimi i pasurive te paluajtshme
Afati për të rivlerësuar pasuritë e paluajtshme në vend do të zgjatet edhe me 4 muaj.
Ashtu siç Report TV paralajmëroi dje shtyrja e afatit është miratuar nga Këshilli i Ministrave. Propozimi për shtyrje vjen si pasojë e pandemisë dhe vështirësive që ka krijuar në qarkullimin e qytetarëve.
Së dyti për shkak se emigrantët nuk kanë përfituar pasi kanë qenë të penguar prej kufizimeve të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Së treti është problemi i legalizimeve, që t’ju jepet mundësia e përfitimit edhe atyre që kanë legalizuar shtëpitë e tyre së fundmi.
Në total deri në fillim të këtij muaji kishin aplikuar për të kryer rivlerësimin e pronave 56,623 qytetar, dhe ishin arkëtuar në nga ky proces 30,6 milionë euro. Synimi i ligjit ishte që të rivlerësoheshin në total 50 mijë pasuri të paluajtshme dhe të arkëtoheshin rreth 49.8 milionë euro.
Ligji për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme ka hyrë në fuqi në 1 janar 2020, dhe afati përfundimtar për tu mbyllur është 31 dhjetori 2021./Burimi: Shqiptarja.com