Secondary Adv

Rritet interesi per energjine e rinovueshme, Park fotovoltaik ne Darzeze

Interesi për energjinë nga burimet e rinovueshme dhe sidomos për fotovoltaikët është rritur vit pas viti dhe kompanitë e interesuara për të investuar janë rritur.

 

Në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë është dorëzuar tashmë një tjetër aplikim por këtë herë për një impiant me kapacitet të instaluar 150MW. Aplikues është kompania AGA-SOLAR. Impianti parashikohet që të ndërtohet në afërsi të fshatit Darzezë e Re në qarkun e Fierit.

 

“Në bazë të Nenit 15 të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 822, datë 7.10.2015 “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncesioni” i ndryshuar, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton si më poshtë:

 

Shoqëria “AGA-SOLAR” SH.P.K. ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë MIE, aplikimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, me kapacitet 150 MW, i cili nuk përfiton nga masat mbështetëse, në Zonën Kadastrale Nr. 1454, në fshatin Darzezë e Re, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier, Qarku Fier.

 

Afati për dërgimin e komenteve në MIE është 15 ditë” njoftoi MIE. Nëse aplikimi kalon fazat e nevojshme dhe miratohet ky do të ishte parku me kapacitet më të madh të instaluar në vend dhe pas tij do të vinin ai i Karavastsë dhe Spitallës që po zbatohen nga Voltalia.

 

Dy parqet që u fituan në ankande nga francezët kanë respektivisht kapacitet 140 MW dhe 100 MW dhe u është garantuar blerja e energjisë për një pjesë të kapacitetit nga ana e OSHEE sipas çmimeve që u shpallën fituese gjatë ankandit( Karavastaja 24.89 euro MWh dhe Spitalla me 29.89 euro/ MWh.

 

Projekti për të cilin është shpallur së fundmi aplikimi nuk mbështetet nga qeveria me ndonjë masë që do të thotë se është tërësisht investim privat dhe energjinë do ta tregtojë në tregun e lirë.

 

Shteti sipas përcaktimeve që mund të bëjë në kontratë mund të përfitojë sasi energjie në përqindje ose vlerë të barabartë në para për sasinë e dakordësuar si “royalty”.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/park-fotovoltaik-150mw-ne-darzeze-aga-solar-aplikon-prane-mie/


Më të lexuarat