Secondary Adv

Sheshi Italia kthehet ne parking publik, 100 leke ne dite

Një parking i ri publik do t’i shtohet kryeqytetit për të shmangur sado pak kaosin që krijohet në Tiranë. Kjo u bë e ditur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se parkingu i ri do të ndërtohet përpara stadiumit “Qemal Stafa”, ku edhe po punohet prej disa ditësh.

 

Ndonëse nuk konfirmohet zyrtarisht, burime në Bashkinë e Tiranës bëjnë me dije se tarifa që do të paguajnë qytetarët për parkimin e makinave në këtë zonë do të jetë modeste, e njëjtë me atë të parkimeve të tjera publike në kryeqytet, 1 mijë lekë të vjetra gjatë gjithë ditës. Por, vendimi përfundimtar për përcaktimin e kësaj pagese nuk është marrë ende, ndërsa pritet të bëhet publike pas përfundimit të ndërtimeve të parkingut të ri.

 

Zyrtarisht mësohet se paratë e grumbulluara do të shkojnë për të ndërtuar korsi për biçikleta, të cilat i mungojnë kryeqytetit. Sheshi iu nënshtrua rikonstruksionit dhe tashmë është rikthyer në një hapësirë me infrastrukturë moderne. Të ardhurat që do të mblidhen do të përdoren edhe për investime të tjera. Mungesa e parkingjeve publike është një prej problemeve kryesore me të cilën përballen drejtuesit e automjeteve, ndaj krijimi i këtij parkingu është një domosdoshmëri, por jo i mjaftueshëm për të përballuar kaosin në Tiranë.

 

“Një ambient, i cili për katër vite ishte një hapësirë e rrënuar, brenda pak ditësh do të shndërrohet në parking publik me pagesë nën administrimin e bashkisë. Them me pagesë, sepse bashkia ka nevojë për fonde, por lajmi i mirë është se çdo e ardhur nga parkingu publik i bashkisë do të investohet në korsi biçikletash dhe gjelbërim për qytetin”, tha kryebashkiaku Veliaj gjatë inspektimit të punimeve.

 

Më tej, ai shtoi se kjo do të jetë një hapësirë më shumë në dispozicion të qytetarëve që duan të parkojnë automjetet e tyre. “Të gjithë qytetarët duhet ta dinë se, nëse vijnë të kalojnë kohë te kodrat e liqenit apo në sheshin ‘Nënë Tereza’, do të kenë një parking të sigurt”, u shpreh më tej kryetari i Bashkisë. Ai premtoi se ky nuk do të jetë parkingu i vetëm që do të ndërtojë bashkia. Së shpejti, Tiranës do t’i shtohen edhe parkingje të tjera, me qëllim ofrimin e një shërbimi më të mirë, por edhe në ndihmë të drejtuesve të automjeteve.

 

Lehtësimi i problemit të parkimit është një nga kërkesat e vazhdueshme dhe pritet që shumë shpejt t’i jepet fund. Megjithatë, në kryeqytet ka një numër të madh makinash, çka e bën praktikisht të pamundur zgjidhjen e problemit në mënyrë të menjëhershme.

 

“Ky është projekti i parë i një rrjeti parkingjesh në qytetin e Tiranës, të cilat Bashkia do t’i sistemojë gjatë gjithë këtij viti”, tha Veliaj. Gjatë prezantimit të parkingut të ri të Tiranës, Veliaj njoftoi edhe për ditën tjetër pa makina. Sipas kryebashkiakut, ajo do të jetë më 18 tetor dhe ashtu si herën e parë, të gjithë qytetarët do të kenë mundësi që të përdorin biçikletat për të lëvizur në Tiranë, ndërsa disa akse rrugore do të jenë të bllokuar, kryesisht lëvizja në Unazën e Vogël.


Më të lexuarat