Secondary Adv

Kosova shpall gjendjen e emergjences per shkak te krizes energjetike

Kosova ka shpallur zyrtarisht gjendjen e emergjencës për shkak të krizës energjetike.

 

Vendimi i Qeverisë për masa emergjente në furnizimin me energji u votua në Kuvendin e Kosovës sot me 57 vota pro, asnjë kundër dhe 17 abstenim.

 

Masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë: vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

 

Kujtojmë se Shqipëria ka garantuar ndihmë për Kosovën në këto ditë të vështira, sidomos për ditët e festave. Kryeministri Edi Rama bëri me dije dje se Shqipëria do të furnizojë me energji elektrike Kosovën me 31 dhjetor dhe 1 janar të 2022 për t'i dhënë mundësi qytetarëve që të festojnë këto ditë.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka falënderuar sot Ramën për gatishmërinë.

 

"Ne e falënderojmë kryeministrin Edi Rama për mbështetjen. Ministrja jonë e Ekonomisë e ka bërë një kërkesë të tillë ndaj Shqipërisë. Kemi termocentrale, ata kanë hidrocentrale.

 

Bëhet fjalë për 2 ditë që janë të rëndësishme sepse janë të ndërrimit të viteve dhe pastaj edhe ne do kemi mundësi t’i ndihmojmë në raste nevoje verën e vitit të ardhshëm", ka thënë Kurti.

 

Që nga 22 dhjetori, konsumatorët në Kosovë po përballen me reduktime të energjisë elektrike. Situata energjetike është përkeqësuar pasi konsumi i energjisë nuk po mund të mbulohet nga kapacitetet prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat