Tkurren depozitat bankare, bien me 0.7 per qind ne muajin nentor
Depozitat në sistemin banka shënuan rënie për herë të parë në nëntor 2021, në dy vite, që nga nëntori 2019.
Në fund të muajit nëntor, stoku i depozitave zbriti në 1.18 trilionë lekë (rreth 9.6 miliardë euro), duke rënë me 8.6 miliardë lekë (70 milionë euro), ose 0.7% më pak, në krahasim me muajin e mëparshëm.
Që prej fillimit të pandemisë depozitat në sistem shënuan një rritje të fortë, sidomos ato në lekë, duke reflektuar edhe pamundësinë për të kryer shpenzime gjatë muajve të karantinës në një pjesë të vitit 2020 si dhe bllokimin e lëvizjes me shtetet e tjera.
Tendenca pozitive vijoi edhe në vitin 2021, por këtë herë e udhëhequr nga valutat, jo nga monedha vendase. Në nëntor, tkurrja erdhi si nga kursimet në lekë, që ranë me 0.5% në krahasim me muajin e mëparshëm, ashtu dhe në valutë, me një tkurrje më të lartë prej -0.9%.
Rënia e depozitave erdhi kryesisht nga bizneset, në një tregues që këta të fundit po priren të shpenzojnë dhe investojnë, pas përmirësimit të konsumit dhe ekonomisë.
Në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë, kursimet janë rritur ndjeshëm me 9.4%, të udhëhequra kryesisht nga valuta (+12%) dhe më pak nga monedha vendase (+6%).
Si rrjedhojë, shqiptarët mbajnë pjesën më të madhe të kursimeve të tyre në valutë, kryesisht euro. Në fund të muajit nëntor, stoku i depozitave në valutë përbënte 55.3% të totalit, nga 53.9% në të njëjtën periudhë të një vit më parë.