Rritet prodhimi, nderkohe bie konsumi i popullates
Produkti i Brendshëm Bruto në tremujorin e dytë të vitit 2015 vlerësohet me rritje prej 2,53% kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2014.
Kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët e ekonomisë, si ndërtimi me 1,96 pikë përqindje, industria, energjia dhe uji me 0,72 pikë përqindje, administrata publike, arsimi dhe shëndetësia me 0,46 pikë përqindje, ndërsa tregti, hotele, restorante dhe transporti me 0,15 pikë përqindje. Përkundër rritjes së prodhimit kombëtar, konsumi ka ardhur në rënie. Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi në tremujorin e dytë 2015 u ul me 3,16% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2014.
Ndërsa konsumi final i qeverisë, në tremujorin e dytë 2015 u ul me 1,26 % krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2014. Ndërkaq, degët që kanë kontribuuar negativisht janë bujqësia, pyjet dhe peshkimi me -0,16 pikë përqindje, aktivitete profesionale dhe shërbime administrative me -0,01 pikë përqindje dhe shërbimet e tjera me -0,01 pikë përqindje.Taksat dhe subvencionet mbi produktet kontribuuan respektivisht me -0,72 pikë përqindje dhe 0,02 pikë përqindje. Sa u përket ndryshimeve në krahasim me tremujorin paraardhës, treguesi i Produktit të Brendshëm Bruto vlerësohet me një rritje prej 0,23%.
Aktiviteti i bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit në tremujorin e dytë të vitit 2015 krahasuar me tremujorin paraardhës u ul me 0,01%. Grupi i industrisë, energjisë dhe ujit u ul me 3,22% në tremujorin e dytë të vitit 2015 krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2015. Aktiviteti i ndërtimit në tremujorin e dytë të vitit 2015 shënoi rritje me 14,06% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2015. Grupimi tregti, hotele, restorante dhe transport, pati një rritje prej 0,35% në tremujorin e dytë të vitit 2015 krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2015.