Viti 2022 do shënojë edhe krijimin e një database digjitale ku do hidhen të dhënat e çdo të huaji që do të hyjë e do qëndrojë në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Më 29 dhjetor të vitit që sapo lamë pas, Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim për krijimin e Regjistrit Elektronik Kombëtar për të Huajt, një bazë të dhënash shtetërore për të huajt, të cilët hyjnë ose synojnë të hyjnë në Republikën e Shqipërisë, me qëllim qëndrimin, kalimin tranzit, punësimin, studimin, si dhe daljen nga Republika e Shqipërisë.
Administrimi i të dhënave të regjistrit do të bëhet nga struktura përgjegjëse për menaxhimin e informacionit e mbrojtjen e të dhënave në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ndërsa sistemi nga AKSHI.
REKH përmban të dhëna personale për shtetasit e huaj, që: a) janë pajisur me vizë për të hyrë, për të qëndruar ose për të kaluar tranzit në Republikën e Shqipërisë; b) janë pajisur me leje qëndrimi për një periudhë të përkohshme ose të përhershme, sipas kritereve dhe llojeve të përcaktuara në ligj;
c) janë pajisur me leje unike (qëndrim e punësim) në Republikën e Shqipërisë, sipas motivit përkatës të lejes së parashikuar ligj; ç) si dhe kur rezultojnë me qëndrim të parregullt në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ky regjistër elektronik përbëhet nga 5 module kryesore:
a) Moduli i kontrollit kufitar, i cili përmban të dhëna të pasqyruara dhe të kontrolluara nga Departamenti për Kufirin dhe Migracionin; b) Moduli i vizave, i cili përmban të dhëna të pasqyruara dhe të kontrolluara nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme;
c) Moduli i lejeve unike dhe i lejeve të qëndrimit, i cili përmban të dhëna të pasqyruara dhe të kontrolluara nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive;
ç) Moduli i trajtimit të të huajve me qëndrim të parregullt në territor, i cili përmban të dhëna të pasqyruara dhe të kontrolluara nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit;
d) dhe së fundmi, Moduli i dokumenteve të identifikimit e të udhëtimit për të huajt, i cili përmban kopjet e këtyre dokumenteve, të përdorura nga i huaji për hyrjen në Republikën e Shqipërisë dhe identifikimin e tij.
Vendimi përcakton edhe institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e të dhënave personale të personave që do përfshihen në regjistër./Burimi: SCAN