Qeveria e Kosoves ndalon prodhimin e kriptovalutave
Kriza e energjisë elektrike në Kosovë ka bërë që Qeveria të ndalojë prodhimin [mining] e kriptovalutave në vend.
E gjithë kjo ka ardhur pas rekomandimeve të Komitetit Teknik për Masat e Emergjencës në Furnizimin e Energjisë, i cili u formua së fundmi nga vet Ministria e Ekonomisë. Ministrja Artane Rizvanolli ka bërë të ditur se institucionet e rendit do të ndalojnë prodhimin e tyre.
“Në fund të 2021 me vendim të Qeverisë së Kosovës kemi themeluar Komitetin Teknik për Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë. Ky Komitet Teknik ka mbajtur 2 takime për të identifikuar dhe rekomanduar zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të rrethanave të krijuara nga kriza energjetike botërore.
Duke u bazuar në rekomandimet e këtij Komiteti Teknik, javën e kaluar kam marrë vendimin për Masa të Emergjencës përmes të cilit ndalohet prodhimi i kriptovalutave në të gjithë territorin e Kosovës.
Institucionet e rendit do të ndalojnë prodhimin e aktivitetit në fjalë me mbështetje të të gjitha institucioneve relevante, të cilat do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave.
Këto obligime kanë për qëllim trajtimin e çfarëdo mungese të papritur ose afatgjatë të kapacitetit prodhues energjetik, kapacitetit të transmetimit apo të shpërndarjes së energjisë në mënyrë që të tejkalojmë krizën e energjisë pa rënduar më tej qytetarët e Kosovës”, ka njoftuar Rizvanolli.
Me 57 vota për, asnjë kundër dhe 17 abstenime deputetët e Kuvendit kanë votuar vendimin e Qeverisë për shpalljen e gjendjes emergjente me energji elektrike. Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes së 51-të ka marr vendim që ta shpallë emergjente gjendjen energjetike, e cila do të vlejë për 60 ditë.
Sipas dokumentit të publikuar nga Zyra e Kryeministrit, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.
Përmes këtij vendimi është vendosur edhe për themelimin e Komitetit Teknik Emergjent në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë.
ky Komitet do përbëhet nga një përfaqësues i Ministrisë së Ekonomisë, një nga ZRRE, një nga KOSTT, një nga KEK, një nga KEDS, një nga KESCO, një nga Ministria e Industrisë, një përfaqësuese nga MPB, një nga Komisioni për Miniera dhe Minerale dhe një anëtarë nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës./Burimi: Telegrafi