21 bashki do marrin 500 mln leke per trajtimin e mbetjeve
Për të zgjidhur problemin mjedisor madhor që doli në pah në vitin që lamë, qeveria do të japë 500 milionë lekë për 21 bashki për trajtimin e mbetjeve.
Duke qenë se shumë bashki nuk kishin kapacitete financiare për t’i transportuar plehrat në zonat e trajtimit të mbetjeve në shumë qytete të Shqipërisë, ato u dogjën në zona të jashtëligjshme dhe të banuara. (Rasti i Fierit apo Durrësit).
Durrësi ishte vitin e kaluar, një nga qytetet më problematike sa i përket mbetjeve, çka sipas ekspertëve dëmtoi edhe sezonin turistik. Për vitin 2022 kjo bashki merr rreth 44% të fondit të vënë në dispozicion, ose 221.6 milionë lekë.
Bashkia tjetër ajo e Kavajës që klasifikohet në vështirësi të mëdha financiare për shkak të borxheve të pashlyera do të marrë 53.4 milionë lekë për trajtimin e mbetjeve.
38 milionë lekë do shkojnë për bashkinë e Krujës, ndjekur nga Kamza me 35 milionë lekë, më pas Vlora me 22.6 milionë lekë dhe Shijaku me 20 milionë lekë.
Ndërsa 15 bashkitë e tjera si Belsh, Cërrik, Elbasan, Fushë-Arrëz, Gramsh, Kurbin, Lezhë, Librazhd, Malësi e Madhe, Peqin, Përrenjas, Pukë, Rrogozhinë, Shkodër dhe Vau i Dejës marrin në total 109.4 milionë lekë. “Detajimi i fondeve është bërë për bashkitë:
Malësi e Madhe, Shkodër, Vau i Dejës, Pukë, Fushë Arrëz, Lezhë dhe Kurbin për financimin e transportit të mbetjeve urbane në zonën e menaxhimit të mbetjeve Shkodër, Krujë, Durrës, Vorë, Kamëz, Shijak, dhe Kavajë për financimin e transportit të mbetjeve urbane në zonën e menaxhimit të mbetjeve Tiranë.
Librazhdë, Elbasan, Rrogozhinë, Peqinë, Cërrik, Belsh, Prrenjas dhe Gramsh, për financimin e transportit të mbetjeve urbane në zonën e menaxhimit të mbetjeve Elbasan”, thuhet në aneksin 7 të buxhetit të shtetit të 2022.
Ndërsa pjesa tjetër e bashkive nuk marrin fonde për vitin 2022. Shpërndarja e fondeve për trajtimin dhe menaxhimin e mbetjeve është bërë në bazë të treguesve të performancës së bashkive, dhe kjo mbështetje do të jetë pjesë edhe e programit buxhetor afatmesëm 2023-2025.