Pas shumë vitesh premtime, si në zgjedhjet elektorale ashtu dhe në ato akademike, merr udhë ndërtimi i kampusit universitar të Universitetit të Tiranës.
E bashkë me të, edhe Universiteti i Arteve dhe Akademia e Policisë. Bashkia e Tiranës, institucioni i përzgjedhur për të kryer tenderimet, në ditën e fundit të vitit 2021 ka hapur tenderin ambicioz për tre megaprojektet që pritet të ndërtohen në kryeqytet, ku ftohen kompanitë të ofrojnë shërbim konsulence.
Ofertat, që kanë afat deri në 26 janar, kanë një fond limit të përcaktuar deri në vlerën e 408 milionë lekëve. Fituesi do të marrë 2 vite kohë për të hartuar studim-projektimet për tri projektet e përfolura dhe prezantuara me kohë nga qeveria, por që vetëm në 2022 do çelet sipari i punimeve në letër.
KAMPUSI UNIVERSITAR
Dy vite më parë u bë publike projekt-ideja e kampusit universitar, që duhet të niste nga puna në 2020 me rikonstruksionin e godinave ekzistuese, ndërtimin e objekteve arsimore, pjesës social-kulturore, si dhe krijimin e rrugëve lidhëse dhe lulishteve.
Ishte nënkryetari i Bashkisë, Arbjan Mazniku, që prezantoi se si do të transformoheshin godinat në Qytetin Studenti, përfshirë dhe ato të banuara nga familjarët që u desh të shembeshin për t’i hapur rrugë kampusit.
Por që atëherë, asnjë lopatë nuk është vënë më aty. Ndërkohë projekti është ideuar dhe prezantuar më kohë. Në 19 janar të 2019, kreu i qeverisë bëri publike idenë e Pier Paolo Tambureli, partner që parashikon shtimin e 11 godinave të reja, ndërtimin e një megabiblioteke, mensë të madhe dhe terrene sportive.
AKADEMIA E ARTEVE
Në gjysmë të 2019 u prezantua kampusi i radhës, ai i Arteve me autor një tjetër arkitekt italian, Marco Casamonti. Projekti nuk ndryshon prezantimin e godinës, pasi tenton të ruajë historinë duke ndërtuar në formë rrethore përreth godinës, por pa prekur fasadën e ndërtesës.
Në hapësirën e re prej 20 mijë metrash katrorë do të ketë përveçse më shumë salla për leksione e seminare, një shesh të madh në mes, teatro e parking nëntokë.
AKADEMIA E POLICISË
Edhe Policia e Shtetit do të ketë një seli të re, ku do të përfshijë edhe Policinë Shkencore dhe Akademinë e Sigurisë. Për objektin në fjalë është hapur tenderi për projektimin e ndërtimit që më 8 nëntor të 2018, me një fond prej 36.4 milionë lekësh, dhe që prej atëherë nuk u fol më për të.
Ai do të ndërtohet pranë ish-batalionit të Policisë Ushtarake, ngjitur me Akademinë e Sigurisë, duke krijuar kështu një kompleks shërbimesh të policisë me strukturat e saj vartëse.
Janë një sërë ndërhyrjesh që janë propozuar të kryhen në këtë godinë, që përfshijnë rehabilitimin e godinave, si dhe ndërtimin e dy godinave të reja fjetore për studentët, godinë për sporte ujore e ushtrime force, si dhe godine mësimore./Burimi: Panorama.al