Perfundon rikonstruksioni, hapet sot Pediatria e re ne Tirane
Pediatria e re në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka hapur sot dyert për fëmijët që do të kenë nevojë për kujdes shëndetësor.
E pranishme në inaugurimin e pediatrisë, Ministrja e Shëndetësisë e konsideroi këtë investim si një kapitull të ri për shërbimin shëndetësorë për fëmijët, por theksoi se sfidë mbetet injektimi i një kulture të re pune në spitalet në vend.
Sipas Manastirliut, modernizimi i infrastrukturës duhet të shkojë paralel me zhvillimin e njeriut brenda sistemit, për këtë ajo tha se do nisë një program trajnimi për stafet mjekësore.
Ky program do të kryhet nga Agjencia e Standardeve dhe Cilësisë së Shërbimeve Shëndetësore dhe do të nisë me shërbimin e urgjencave.
"Sfida jonë më e madhe është injektimi një kulture të re pune. Modernizimi i infrastrukturës duhet të shkojë paralel me zhvillimin e njeriut brenda sistemit. Ne duhet ta ngremë më të fortë shërbimin kombëtar shëndetësor.
Duhet të jemi më kërkues për shërbimin që i ofrojmë qytetarëve. Nuk ka më vend për justifikime. Agjencia e Standardeve dhe Cilësisë së Shërbimeve Shëndetësore do të nisë një program të posaçëm edukimi për stafet mjekësore në sistemin spitalor, duke filluar me shërbimin e urgjencave.
Është e rëndësishme që infrastrukturës t'i përgjigjemi me kulturë të re shërbimi ndaj qytetarëve. Kjo strukturë do merret me këtë aspekt", tha ministrja./Burimi: Shqiptarja.com