Skandali me publikimin e pagave, arrestohen dy te dyshuar
Dy persona janë arrestuar nga policia në lidhje me skandalin e publikimit të databazave me listën e pagës së 690 mijë qytetarëve.
Arrestimi i tyre është bërë nga policia me kërkesë të prokurorisë së Tiranës e cila prej të paktën dy javësh ka nisur një hetim në lidhje me këtë çështje.
Të dhënat financiare të mbi 630 mijë qytetarëve për janar 2021 qarkulluan lirisht pak javë më parë përmes aplikacionit Whatsapp, por skandali u thellua edhe më tej pasi dje doli një listë e shtuar deri në 690 mijë punonjës, me të dhënat e prillit.
Materialet përmbajnë të dhëna personale si numrin e kartës së identitetit, numrin e identifikimit të shoqërisë ku janë punësuar ata, përfshirë pozicionin e punës dhe numrin e telefonit. Pas këtij skandali kryeministri Rama u kërkoi ndjesë qytetarëve që ishin pjesë e dokumentit me të dhëna personale.
Ai i bëri thirrje prokurorisë të zhvillojë hetime të imtësishme, ndaj atyre që sipas tij me këtë akt synojnë të sjellin konfuzion dhe destabilitet. Rama theksoi se investimet në zhvillimin e këtij sektori do të jenë të pandalshme për të garantuar edhe më shumë siguri./Burimi: Abcnews.al